Tuesday, 24 April 2018 | Lajme: 38

Gjermania nuk e njeh patentën e shoferit të Maqedonisë, ankohen qytetarët

“Ndonëse gjatë kohë kërkohet zgjidhja e këtij problemi, qytetarët vazhdojnë të përballen me gjoba. Janë rreth 100 mijë veta që kërkojnë zgjidhje”, thotë Aleksandar Buzleski, i cili jeton në Gjermani.

Për këtë ai ka hapur dhe peticion online që deri në prill të këtij viti, synon 50 mijë firma për zgjidhjen e këtij problemi.

“Gjatë gjithë kohës po përpiqemi të kuptojmë se kur do të zgjidhet ky problem, kjo është pyetje për një milion dollarë. Institucionet tona janë shprehur shpresëdhënëse se kjo do të zgjidhej gjatë 2017-tës ose gjatë shkurtit ose marsit, por ja marsi tanimë po mbaron, pason prilli, ku 7 prilli është fundi i peticionit, por kjo nuk do të thotë se këtu do të përfundojnë aktivitetet tona nëse problemi nuk zgjidhet”, tha Aleksandar Buzleski, qytetar i R.M që jeton në Gjermani.

Një muaj më parë, kryeministri i vendit, Zoran Zaev, i tha Dojçe Vele-s se pengesa është e natyrës teknike për shkak të vërtetimit mjekësor dhe se shumë shpejt pritet unifikimi i lejeve të vozitjes.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk na dha përgjigje konkrete se ku ka ngecur procesi dhe se cilat janë pikat problematike për të cilat palët nuk bien dakord. Megjithatë, nga atje thonë po punojnë në përshpejtimin e procedurës.

“Që nga fillimi i procedurës e deri më tani, janë bërë një sërë konsultimesh mes shërbimeve adekuate të të dy ministrive përgjegjëse në rrugë diplomatike. Kohëve të fundit, me kërkesë të Ministrisë tonë për Punë të Brendshme, me qëllim të përshpejtimit të procedurës, dakordimet bëhen përmes konsultimeve direkte me përfaqësues nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë. Gjatë kohës së këtyre konsultimeve, është bërë progres i dukshëm në harmonizimin e disa dispozitave nga Deklarata e Përbashkët, e cila është në fazën përfundimtare në korniza të procedurës së përgjithshme”, nga Ministria e Punëve të Brenshme.

Mosnjohja e patentë shoferit nga shteti gjerman ka bërë që shumë shtetas të Maqedonisë të marrin gjoba në Gjermani. Jo zyrtarisht mësuam se gjoba e parë kap vlerën prej 600 eurove, ndërsa ndalesa e dytë nga policia gjermane e një rezidenti të Maqedonisë gjobitet me 1400 euro, plus gjobën e njohur si “Idiot-test” për të vërtetuar qëndrueshmërinë psikike të shoferit.