Tuesday, 24 April 2018 | Lajme: 39

Punësim për 50 zjarrfikës në Shkup

Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e 8-të dje i miratoi vendimet me të cilat jepet leje për planin për punësim të Qytetit të Shkupit për vitin 2018 dhe 2019.

Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, tha se këtë vit do të pranohen 50 zjarrfikës.

“Struktura e moshës së brigadës zjarrfikëse në Qytetin e Shkupit është e keqe dhe plotësimi i kuadrove nuk ështëbërë me vite. Plani është që gjatë këtij viti të bëhet trajnim dhe të pranohen 50 zjarrfikës të rinj, të cilët do ta përmbushin mungesën e 23 personave dhe nga largimi në pension të 27 zjarrfikësve gjatë këtij viti”, deklaroi Shilegov.

Ai theksoi se po punohet intensivisht edhe në sistematizimin e vendeve të punës në Qytetin e Shkupit dhe duhet të përfundojë deri më 31 mars. Ligji për zjarrfikës parashikon kuotë prej 384 zjarrfikësve, ndërsa momentalisht janë punësuar 217 persona.

Këshilltari Sadat Ramadani nga Besa e përshëndeti propozimin dhe theksoi se me realizimin deri në vitin 2018 do të rritet përfaqësimi i shqiptarëve në administratën e Qytetit të Shkupit nga shtatë përqindëshi i deritanishëm. Këshilltarja Dragana Velkovska nga E majta, kërkoi që të bëhet sistematizim i punësimeve në Qytetin e Shkupit dhe të shfrytëzohen në marrëveshje me ministritë e Shoqërisë Informatike dhe të Punës dhe Politikës Sociale, të punësuarit të cilët nuk gjenden në vendet e tyre të punës ose nuk kanë detyra pune, e marrin paga.