Saturday, 22 September 2018 | Lajme: 0

Gostivar, mënjanohen shkurret dhe pastrohen hedhurinat

Ndërmarrja publike “Parkingje publike dhe gjelbërime” vazhdon me aksione gjithëpërfshirëse për rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra publike nëpër gjithë territorin e komunës së Gostivarit, si dhe në rregullimin e sipërfaqeve përskaj rrugëve lokale dhe rajonale.

“Krahas aktiviteteve të përditshme për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe parkingjeve publike, kohë pas kohe ndërmarrim aksione të cilat tejkalojnë obligimet tona, siç është mirëmbajtja e brezit të rrugëve rajonale, me të vetmin qëllim që të mundësojmë qarkullim të lirshëm dhe më të sigurt në trafikun rrugor. Këtyre ditëve jemi duke punuar në disa lokacione, siç janë hyrja në fshatin Debresh, hyrja në fshatin Llakavicë, parku i madh i qytetit dhe këndi i lojërave për fëmijë”, informon drejtori i kësaj ndërmarrjeje Muzafer Zulbehari.

Në hyrje të fshatit Debresh mënjanohen shkurret përskaj rrugës rajonale, si dhe pastrohen hedhurinat. Në hyrje të fshatit Llakavicë ku vegjetacioni i padëshiruar kishte kapluar madje edhe rrugën, mënjanohet i njëjti duke u krijuar kushte për qarkullim të lirshëm dhe dukshmëri më të madhe.

Në parkun e madh të qytetit punohet në anën e djathtë të lumit Vardar, ku pastrohen degët e rëna nga reshjet e shiut dhe era e fortë, ndërsa këndi i lojërave pastrohet dhe rinovohet, që të mundet i njëjti të shfrytëzohet.

Nga NP “Parkingje dhe gjelbërime”, njoftojnë se aksione të këtilla do të realizohen në vazhdimësi.