Monday, 22 October 2018 | Lajme: 17

Në BeH prej sot vetëm me letërnjoftime

Qytetarët e Maqedonisë dhe Bosnjë e Herzegovinës prej sot do të mund të udhëtojnë në të dy vendet vetëm me letërnjoftim. Marrëveshja për këtë mundësi u nënshkrua sot nga Kryeministri Zoran Zaev dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të BeH-së, Denis Zvizdiq.

Kryeministri Zaev në një konferencë të përbashkët shtypi theksoi se kjo tashmë është një praktikë që Maqedonia e ka vendosur më parë edhe me Serbinë edhe me Shqipërinë.

“Ky është hapi i dytë konkret për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve midis dy vendeve pas marrëveshjes tashmë të nënshkruar për njohjen reciproke të patentave të shoferëve”, tha Zaev.

Përveç lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve, me marrëveshjen e sotme të nënshkruar, lehtësohen kushtet për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm, si dhe studentët që do të studiojnë në kushte të barabarta si studentët nga Maqedonia. Tarifa e shkollimit do të jetë e njëjtë me atë të studentëve nga vendi.

Zaev theksoi se Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina dërgojnë një mesazh se ata janë të përkushtuar seriozisht për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore me fqinjët dhe një rajon të bashkuar që synon perspektivat evropiane.

Zvidiq vlerësoi se nuk ka çështje të hapura midis dy vendeve

“Maqedonia dhe BeH-ja janë vendet më të ngjashme në rajon dhe kuptohen mirë me njëri-tjetrin. Ata përballen me probleme të ngjashme politike dhe ekonomike dhe ajo që është e rëndësishme është se ne kemi të njëjtin qëllim themelor dhe kjo është BE-ja”, tha Zvizdiq.
Ai vuri në dukje se ajo që duan të dy vendet është paqja, prosperiteti ekonomik, një mjedis për zhvillimin ekonomik dhe rritje të standardit të jetesës.

Të dy kryeministrat diskutuan për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik.

Ata theksuan se ka potencial për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, por problem është infrastruktura edhe ajo energjetike dhe transportuese por edhe infrastruktura dixhitale dhe se këto janë projekte për të cilat do të insistohet.

“Është e domosdoshme që rajoni të lidhet më mirë dhe është parashikuar që në kohën më të shkurtër të mundshme një linjë ajrore të lidhë Shkupin dhe Sarajevën” tha Zvizdiq. Negociatat janë duke u zhvilluar me disa nga transportuesit ajrorë rajonalë dhe ndihmë kërkohet gjithashtu edhe nga Bashkimi Evropian.