Saturday, 22 September 2018 | Lajme: 0

Mbështetje norvegjeze për Zonën Ekonomike në Tetovë

Ambasadori i Norvegjisë në Maqedoni, Arne Sannes Bjornstad, këshilltari special pranë Qeverisë së Norvegjisë për Ballkanin Perendimor, Olav Reinesten dhe kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, sot e vizituan Zonën Industriale Zhvillimore Teknologjike në Tetovë. Vizita e tyre kishte për qëllim për të parë nga afër mundësitë investuese në këtë zonë.

Impakti ekonomik, zbutja e papunësisë dhe zhvillimi rajonal ishin temë e diskutimit në takimin e sotëm të Ambasadorit Norvegjes me drejtuesit e Zonës Ekonomike në Tetovë. Ambasadori i Norvegjisë në vend Arne Sannes Bjornstad, u shpreh i impresionuar për shkallën e lartë të modernitetit në këtë zonë, dhe gadishmërinë e saj për të sjellë sa më shumë investitorë, ai njëkohësisht foli edhe për potencialet e fabrikës amerikane Lear corporation duke e cilësuar si një ndër investimet më të suksesshme.

“Kjo është një nga investimet më të rëndësishme në Maqedoni dhe është e rëndësishme për ne që është i suksesshëm. Është fabrikë shumë e suksesshme dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Maqedoni. Ka potenciale dhe plane për rritje dhe ne jemi këtu për të ndihmuar rreth kësaj. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me qeverinë dhe kryetaren e komunës. Pronarët janë shumë të përkushtuar ashtu siç janë edhe investitorët”, theksoi ambasadori norvegjez.

Këshilltari special pranë qeverisë së Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor Olav Reinesten theksoi se e veçanta e kësaj zone është se kemi të bëjmë me investitorë privat, gjë e cila siç theksoi ai, i bën këto investime të qëndrueshme. Ai shprehu gatishmërinë e ministrisë së punë të Jashtme për t’i zhvilluar marrëdhëniet mes dy palëve të cilët do t’i ndihmonin zhvillimit ekonomik të vendit.

“Dua të theksoj se ne kemi qenë të përfshirë në këtë proces që nga fillimi. Ajo çka e bën këtë përparim të veçantë është se kemi të bëjmë me investitorë privat. Mendoj se kjo e bën të qëndrueshëm këtë investim dhe kjo është ajo për të cilën ne angazhohemi dhe ndihmojmë rritjen e kontributit të Bashkimit Evropian, për të parë se si investuesit privat gjejnë mundësi për biznese. Kështu që shpresojmë në rritje të mëtutjeshme”, ka thënë Reinesten.

Kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi vlerësoi të arriturat e kësaj zone dhe të fabrikës Lear Corporation për ndihmën që ua ofrojnë qytetarëve të kësaj komune, sidomos në aspektin ekonomik dhe zbutjen e papunësisë.

Drejtori i “Normak Investment” Arben Halili theksoi se ambasadori norvegjez është njoftuar lidhur me punën e deri tanishme të kësaj zone dhe planet për të ardhmen. Halili paralajmëroi edhe zgjerimin e kompanisë amerikane Lear Corporation në të cilën për momentin janë rreth 1500 të punësuar duke shtuar se me zgjerimin e kësaj kompanie do të krijohen edhe vende të reja pune dhe njëkohësisht do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të këtij rajoni.

Përndryshe zona e lirë ekonomike në Tetovë vazhdimisht është vizituar nga përfaqësues të selive diplomatike në vend, të cilët nga afër janë njoftuar me aktivitetet ekonomike dhe mundësitë afariste që kjo zonë ofron për investitorët e huaj. Në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë aktualisht janë mbi 1500 të punësuar, me tendenca që ky numër vazhdimisht të rritet.