Tuesday, 19 June 2018 | Lajme: 50

Sistemi financiar stabil, të kthehet besimi tek investitorët

Sistemi financiar është stabil me rreziqe sistematike minimale. Jostabiliteti afatshkurtër i shkaktuar nga trazirat politike në prill dhe maj të vitit të kaluar është tejkaluar tërësisht, konstatoi në seancën e sotme Komiteti për stabilitet financiar.

Sipas ministrit të Financave, Dragan Tevdovski, sistemi financiar është stabil, funksionon normal dhe do të sigurojë mbështetje për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë. Gjënë kryesore që e bëjmë tek politika fiskale, theksoi, është të sigurojmë stabilitet dhe rritje ekonomike.

“Për herë të parë nga kriza, në tetë vitet e fundit kishte ulje të borxhit shtetëror dhe publik në shuma reale. Siguruam eurobligacion në kohën më optimale dhe për kushte më të mira të mundshme, ndërsa sipas të dhënave të fundit kthimi i TVSH-së ndaj kompanive bëhet në mënyrë joselektive dhe shpejtë. Nëse i shikoni muajt janar dhe shkurt të këtij viti, në raport me muajt e njëjtë të vitit të kaluar, kthimi i THVSH-së është më i madh për 1,4 miliardë denarë apo për 56 për qind. Kjo do të thotë se shpejtë kthehet likuiditeti në kompanitë, ato të punojnë, kanë aktivitet dhe të investojnë”, deklaroi Tevdovski.

Sipas guvernatorit të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, Dimitar Bogov, rreziqet prej sistemit bankar janë minimale. Bankat me kapitalizimin e tyre të lartë dhe likuidimin janë stabile dhe rezistuese ndaj goditjeve.

“E gjithë kjo tregon se sektori bankar është veçanërisht mirë i kapitalizuar, me likuiditet të lartë dhe i përgatitur për ta mbështetur ekonominë e Maqedonisë”, deklaroi Bogov.

Është nevojshme, tha, të kthehet besimi tek investitorët.

“Kushtet janë stabile për një periudhë të gjatë, bankat janë me likuidim të lartë dhe është e domosdoshme të kthehet besimi tek investitorët, të rritet kërkesa për kredi, ndërsa bankat janë të gatshme dhe mund t’i lëshojnë kreditë, por nevojiten projekte cilësore dhe aktivitet më i fortë investues”, shtoi Bogov.

Struktura monetare, siç sqaroi, do të varet prej politikës monetare, si dhe prej asaj se si do të jetë politika fiskale, stabiliteti politik dhe cili është bilanci pagesor gjegjësisht gjendja në tregun devizor. Në këto pika kryesore për momentin ka mjaft lëvizje të volitshme.

Kjo është seanca e pestë e Komitetit i cili trup është formuar nga Ministria e Financave dhe BPRM-ja.