Friday, 17 August 2018 | Lajme: 36

Anijet do të zhvendosen nga Vardari për shkaqe sigurie

Dislokimi i paraparë i anijeve, spërkatësve, shatërvanëve dhe shelgjeve nga Vardari do të bëhet vetëm për shkaqe sigurie, edhe pse estetika e tyre është diskutabile, vlerësoi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Ai theksoi se shtrati i Vardarit është projekt kapital i ndërtuar pas përmbytjeve në Shkup në vitin 1962 me qëllim që të parandalohen përmbytje të ardhshme dhe se në të nuk duhet pasur pengesa.

“Me këtë projekt është paraparë shtrati të mund të absorbojë 100 ujëra në vit dhe është ndërtuar në tri nivele. Çdo zvogëlim i shtratit është rrezik prej vërshimeve, ndërsa në asnjë mënyrë nuk guxon të ketë pengesa në shtratin ku janë vendosur anijet. Mu për këtë vendosëm dhe e hoqëm dheun e vendosur para anijes së parë dhe i thamë zbatuesit të punimeve “Beton” që ta heq argjinaturën para urës në ndërtim në të cilën duhej të vendosej “rrota panoramike”, tha Shilegov në takimin e sotëm me gazetarët.

Përmes Shkupit, siç tha, kalojnë tre lumenj Vardar, Treska dhe Lepenci, ndërsa vetëm Treska është rregulluar me liqenin Kozjak.

“Një studim i UNDP-së tregon se gjatë përmbytjeve me përmasa të vogla në Shkup, nëse del nga shtrati vetëm Vardari, do të ketë dëme prej rreth 50 milionë euro, nëse del Vardari si edhe një prej dy lumenjve të tjerë do të ketë përmbytje të mesme me dëme prej 252 milionë euro, ndërsa nëse dalin të tre lumenjtë do të ketë dëm mbi 500 milionë euro”, tha Shilegov.

Për momentin, theksoi, po bëhen analizat e nevojshme që të përcaktohet procedura se si të dislokohen anijet dhe çfarë duhet bërë me urën, ndërsa gjatë kësaj pranvere do të dislokohen edhe shelgjet, spërkatësit dhe shatërvanët prej shtratit të Vardarit.

Vlerësimet fillestare, shtoi, tregojnë se për zhvendosjen e anijeve do të nevojiten prej katër deri në 4,5 milionë euro.