Friday, 17 August 2018 | Lajme: 36

Hyri në fuqi Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe homologia e tij bullgare Ekaterina Zaharieva sot në Sofje  në prani të kryeministrit të Republikës së Bullgarisë, Bojko Borisov e nënshkruan Protokollin për këmbimin e dokumenteve të ratifikuara, me çka edhe zyrtarisht hyri në fuqi Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis dy vendeve.

“Kemi shans që me kokën lartë të ecim përpara. Mendoj se me këtë shembull, në të cilin për disa muaj arritëm të bëjmë një kthesë të tillë, japim në njëfarë mënyre edhe shpresë dhe guxim se Ballkani është Evropë. Shpresojmë se kjo energji pozitive do t’i infektojë edhe çështjet e tjera të cilat ende nuk janë mbyllur”, tha pas nënshkrimit Dimitrov.

Ministrja Zaharieva theksoi se rezultatet nga kjo marrëveshje janë të dukshme edhe para se të hyjë në fuqi. Me të, theksoi ajo, treguam se vetë mund t’i zgjidhim problemet.

“Rezultatet nga marrëveshja janë të dukshme – rritje e shkëmbimit të mallrave prej 11 dhe të tregtisë prej 10 përqind”, deklaroi ministrja Zaharieva.

Shembullin e këtillë pozitiv, vlerëson edhe kryeministri Borisov, duhet ta ndjekin të gjithë në Ballkan.

“Nëse Shkupi dhe Athina bëhen të guximshme, ndërsa miqtë tanë Cipras, Micotakis dhe Zaev gjejnë zgjidhje të përbashkët për kontestin me emrin në muajt e ardhshëm gjërat do të zhvillohen në drejtim të mirë për të gjithë. Ne tani mund të mbajmë fat që të zgjidhet kontesti. Bullgaria do të jetë vetëm konstruktive”, tha Borisov.

Marrëveshja u nënshkrua më 1 gusht 2017 nga kryeministrat e dy shteteve, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, për shkak të përforcimit të marrëdhënieve të ndërsjella miqësore, zhvillimit të fqinjësisë së mirë, zhvillimit të marrëdhënieve të ndërsjella në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

Me këtë praktikisht përfundon procedura formale për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes, pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Maqedonisë më 15 janar dhe në Parlamentin bullgar tre ditë më vonë.

Marrëveshja është rezultat i një procesi dakordues pesëvjeçar të grupeve të punës të të dyja MPJ-ve dhe paraqet sendërtim i marrëveshjes së nënshkruar në vitin 1990.

Dimitrov prej sot po qëndron për vizitë pune në Sofje, ku përveç me Zaharievën do të takohet edhe me presidentin e Bullgarisë Rumen Radev dhe kryeministrin Bojko Borisov.

Ai prej nesër merr pjesë në takimin joformal të ministrave të punëve të jashtme të BE-së.

Gjendja në Ballkanin Perëndimor, me theks në procesin euro-integrues të rajonit, si dhe situata në Siri dhe në Korenë Veriore, do të jenë temat në të cilat do të diskutohet në sesionet e takimit joformal të Këshillit për punë të jashtme të BE-së (Gimnih), që nesër dhe pasnesër do të mbahet në Sofje.

Nikoqir i takimit është zëvendëskryeministrja bullgare dhe ministre e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, vendi i së cilës është kryesues aktual me BE-në.

Në takimin joformal do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini, shefat e diplomacive të 28 vendeve anëtare, si dhe ministrat e punëve të jashtme të pesë vendeve kandidate nga Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Gimnih është kështjellë në pjesën perëndimore të Gjermanisë, e cila ishte shtëpi mysafirësh e qeverisë së Gjermanisë së dikurshme perëndimore. Ky është vendi ku u mbajt takimi i parë joformal i shefave të diplomacive të BE-së në vitin 1974.

Këto takime janë joformale, ndërsa pjesëmarrësit kanë mundësi të diskutojnë për çështjet aktuale, por pas debateve nuk miratohen deklarata ose konkludime formale.