Monday, 20 August 2018 | Lajme: 0

Franca eksportuesi më i madh i parfumit në BE, Holanda importuesi kryesor

Në 10 muajt e parë të vitit 2017, Bashkimi Evropian eksportoi parfume me vlerë 4.6 miliardë euro për vendet jo anëtare të BE-së dhe importoi shumë më pak se 0.8 miliardë euro, shkruan Telegrafi.

Franca është eksportuesi më i madh i parfumeve në BE. Francezët eksportuan parfume me vlerë 1.8 miliardë euro për vendet jo-anëtare të BE-së në 10 muajt e parë të vitit 2017, ose 40 për qind të eksporteve totale të parfumeve jashtë BE-së. Pas Francës vjen Spanja me 0.8 miliardë euro, Gjermania me 0.7 miliardë euro dhe Italia me 0.5 miliardë euro.

Kur u eksportua në vendet jo anëtare të BE-së, parfumi u dërgua kryesisht në SHBA me vlerë prej 0.9 miliardë euro, ose 20 për qind nga eksportet totale të parfumeve jashtë BE-së, pasuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe me 0.4 miliardë euro, Rusia me 0.4 miliardë euro, Zvicra me 0.3 miliardë euro dhe Singapori me 0.2 miliardë euro.

Holanda ishte importuesi kryesor i parfumeve jashtë BE-së. Shteti holandez importoi parfume me vlerë mbi 0.2 miliardë euro nga vendet jo-anëtare të BE-së në periudhën janar-tetor 2017, ose 25 për qind të importeve totale të parfumeve të BE-së. Importues të tjerë kryesorë ishin Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar me më pak se 0.2 miliardë euro, ndjekur nga Franca dhe Belgjika me 0.1 miliardë euro.

Gjatë 10 muajt e parë të 2017-së, shtetet anëtare importuan parfum me vlerë 0.8 miliardë euro nga vendet jashtë BE-së. Shumica e këtyre importeve kanë origjinën nga SHBA-të dhe Zvicra me 0.3 miliardë euro. Pjesa tjetër më e madhe e importeve nga vendet jo anëtare të BE-së vijnë nga Kina me 51 milionë euro, pasuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe me 35 milionë euro, Singapori me 34 milionë euro dhe Turqia me 32 milionë euro.