e Hënë, 11 Dhjetor 2017 | Lajme: 0

Sipërmarrësja turke sjell inovacion mbi shkumën e kafesë

Sipërmarrësja nga Izmiri i Turqisë, Gizem Acar Yavuz, ka zhvilluar një teknologji që mundëson vendosjen e dizajnit të dëshiruar në shkumën e kafesë, përmes teknologjisë së printimit tredimensional pa ndërhyrje manuale dhe pa përdorur ndonjë kallëp.

Teknologjia e sipërmarrëses Yavuz ka tërhequr interesim të madh nga kafenetë, kompanitë turistike dhe hotelet. Për Anadolu Agency (AA) ajo tha se ka nisur të hulumtojë mbi printerët ushqimorë gjatë studimeve postdiplomike në Universitetin ‘Dokuz Eylul’, për të vazhduar më pas me një ekip që ka formuar të punojë mbi printerët ushqimorë pa ndërhyrje manuale dhe kallëp.

Yavuz thotë se kanë marrë patenta të shumë produkteve që kanë zhvilluar, ndërsa një prej tyre është edhe teknologjia që mundëson dizajnin e dëshiruar mbi shkumën e kafesë.

“Teknologjinë e printimit tredimensional e përshtatëm me produktet ushqimore. Bëmë hulumtime dhe zhvillime mbi makinat që ofrojnë mundësi të pafund për dizajnim. I pari prej këtyre ishte printimi në pije. Në fishekun brenda këtij printeri ka ekstrakte natyrore të kafesë, të cilat përpunohen mbi shkumë”, shpejgon Yavuz.

Ajo më tej tregon se me këtë teknologji mund të vendosen shkrime, fotografi, logo ose dizajne të tjera mbi shkumën e kafesë, dhe se për teknologjinë ka interesim të madh nga kafenetë, kompanitë turistike, zyrat dhe hotelet, të cilat dëshirojnë t’u paraqesin shërbim special klientëve.

“Ju shkrepni një fotografi nga telefoni juaj dhe përmes internetit ia dërgoni makinës, ndërsa brenda disa sekondave para jush keni pijen tuaj me fotografi mbi të”, shton Yavuz.

Ajo thotë se çmimi i tekonologjisë fillon nga dy mijë euro dhe mund të rritet varësisht nga pajisjet që kërkohen. “Deri më tani kemi shitur 30 copë, ndërsa kemi mbi 300 porosi”, tha Yavuz