e Mërkurë, 18 Tetor 2017 | Lajme: 0

Aksident tragjik – “Audi” bie nga mbikalimi në Prishtinë, 4 të vdekur, një i mbijetuar

Si pasojë e një aksidenti fatal me makinë të ndodhur në Prishtinë, katër persona kanë ndërruar jetë, ndërsa një i mbijetuar është dërguar menjëherë në spital. Automjeti tip “Audi” ka rënë nga mbikalimi i Lakrishtës në hyrje të Prishtinës, ndërsa nuk dihen ende shkaqet që çuan në këtë rast tragjik. Ndërkohë, mjekët vijojnë të monitorojnë me kujdes gjendjen e të mbijetuarit të vetëm nga aksidenti.

Katër persona kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti fatal automobilistik të ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në Prishtinë, ndërsa një person i pestë vijon të mbahet nën kujdesin e mjekëve në Qëndrën Klinike Universitare të kryeqytetit kosovar, në gjëndje tepër të rëndë.

Autoritetet bënë të ditur se për arsye që s’janë zbuluar ende, mjeti tip “Audi” me targa gjermane ka rënë nga mbikalimi i Lakrishtes në hyrje të Prishtinës.

Aktualisht ka nisur një proces hetimor për të zbardhur më shumë detaje nga rasti tragjik, ndërsa mendohet se shkak mund të ketë qënë pakujdesia ose gabimi njerëzor.

Autoritetet mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të ndihmuar të aksidentuarit, por si pasojë e përplasjes së fortë, katër persona humbën jetën menjëherë.

Ndërkohë, personi i vetëm që i mbijetoi aksidentit u dërgua me shpejtësi në spital. Mjekët në komunikimin e tyre paraprak deklaruan se gjëndja e të mbijetuarit është mjaft e rëndë, por shtuan se e mbajnë situatën nën monitorim të vazhdueshëm.