e Mërkurë, 18 Tetor 2017 | Lajme: 0

Shpërthen bombola në një kompleks turistik në Shqipëri, 20 të plagosur (VIDEO)

Një resorti turistik është përfshirë nga flakët ditën e sotme në Velipojë. Turistët ishin në gjumë në momentin kur raportohet të ketë ndodhur një shpërthim i madh zjarri. “BalkanWeb” mëson se forcat e zjarrfikëses janë nisur menjëherë në vendngjarje.

Ngjarja ka ndodhur në kompleksin “Fishta”, në Velipojë. Flakët kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të resortit turistik, dhe si shkak kryesor mendohet të jetë shpërthimi i një bombole gazi.

Nga raportimet e deri-tanishme, bilanci i të plagosurve nga shpërthimi i bombolës është rënduar duke çuar në 20 numrin e tyre.

4 prej tyre dyshohet të jenë në gjendje të rëndë, dhe janë dërguar në spital të asfiksuar nga tymi i madh pas flakëve në restorantin e kompleksit Fishta në Velipojë.

Një dëshmitar ka treguar ngjarjen:

Pamë tym tek kompleksi Fishta. Nxituam të shikonim se çfarë po ndodhte, por nuk afroheshim dot. Kishte tym e flakë. Flitet se ka dhe viktima, dikush thotë se ka viktima. Lokali “Cavaliero” ku ndodhi shpërthimi ka një personel të madh rreth 20 persona. Pamë 4- 5 veta me djegie. Pastaj erdhi policia dhe na largoi për sigurinë. Ende e shohim. Zjarri është shuar por ka tym e lëvizje. Kati i parë është bare dhe dyqane ndërsa 4 të tjerat janë hotel”, tha dëshmitari.