e Mërkurë, 18 Tetor 2017 | Lajme: 0

Në Tiranë prindërit harrojnë foshnjën brenda në automobil

Duket në kufijtë e së pabesueshmes, por ka ndodhur dje në oborrin e QSUT-së në Tiranë. Po të mos ishte për bashkëpunimin mes qytetarëve, policisë dhe punës heroike të mjekëve dhe infermierëve të Urgjencës së Pediatrisë në QSUT, një foshnje do të kishte ndërruar jetë në mënyrë tragjike dje, shkruan Albeu.com.

Ndërkohë që kishin ardhur për të kuruar fëmijen e madh, nëna dhe babai kanë harruar në nxitim e sipër brenda në makinë, fëmijën tjetër të tyre duke i rrezikuar seriozisht jetën.

Burime të Albeu.com nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se fëmija ka qendruar për të paktën dy orë në temperatura ekstreme brenda në makinë me xhama të mbyllur.

Ndërkohë që ka parë se brenda makinës gjendej një foshnje, një zonjë ka telefonuar policinë, të cilët kanë mbërritur në kohë rekord duke bërë të mundur nxjerrjen e foshnjes nga makina.

Foshnja është dërguar në urgjencën e shërbimit të pediatrisë duke marrë ndihmën e parë.

Burime të Albeu.com bëjnë me dije se foshnja është shëndosh e mirë.