e Premte, 18 Gusht 2017 | Lajme: 0

Momenti kur tërmeti goditi Shkupin në vitin 1963 (Video)

Në orën 5:17 të mëngjesit të 26 korrikut 1963, qytetarët e Shkupit i zgjoi tërmeti shkatërrues me intensitet prej 6.1 shkallë sipas Rihterit ndërkaq goditje më të vogla pati deri në orën 05:43.

Tërmeti i Shkupit u ndje në hapësirë prej rreth 50.000 kilometrash katror. Nga goditja u rrënuan 15.800 banesa, ndërkaq u dëmtuan 28.000. Mbi 200.000 njerëz mbetën pa kulm mbi kokë.

Nga tragjedia në Shkup u shqetësua dhe u angazhua mbarë bota. Kryqi i Kuq ndërkombëtar u bëri thirrje të gjitha organizatave nacionale të organizojnë ushqim për fëmijët e Shkupit. Unioni interparlamentar dërgoi rekomandim të gjitha parlamenteve dhe qeverive të ndihmojnë në riparimin e qytetit. organizatat humanitare në shumë vende iu qasën grumbullimit të ndihmave për Shkupin. Kështu Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.

 

Kombet e Bashkuara menjëherë pas katastrofës ndërmorën aktivitete që në mënyrë planore dhe afatgjate t’i ndihmohet qytetit të shkatërruar. Në kohën kur ekipe ekspertësh të KB-së filluan të arrijnë në Shkup, në selinë e organizatës ndërkombëtare u tha se Shkupi do të jetë përmedore e solidaritetit njerëzor. Më 23 shtator të vitit 1963 35 vende kërkuan që Asamblea e Përgjithshme të vendosë në rend dite të mbledhjes së vet pikë për ndërmarrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup. Pas katër ditësh, më 27 shtator, Asambleja e përgjithshme i dha prioritet aksionit ndërkombëtar për ofrim të ndihmës për Shkupin.

Më 14 tetor, pas diskutimit dyorësh, unanimisht miratoi Rezolutë për ofrim të ndihmës qeverisë jugosllave gjatë rikonstruimit të Shkupit. Në Rezolutë shprehet keqardhja me rastin e katastrofës së madhe. Në debatin për ofrimin e ndihmës për Shkupin, Asamblea e përgjithshme e dëgjoi fjalimin e përfaqësuesve nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet. Ajo ditë hyri në analet e Kombeve të Bashkuara si dita e Shkupit.

Në historinë e vet të gjatë, qyteti disa herë është shkatërruar dhe sërish ka rilindur. Në hapësirën ndërmjet fshatrave Zllokuqan dhe Bardovc ka ekzistuar qyteti Skupi, metropol i Dardanisë. Ky qytet romak në vitin 518 ishte shkatërruar nga tërmeti. Atëherë në Dardani ishin rrënuar 24 kështjella të qytetit. Fuqia e atij tërmeti ishte 10 – 11 ballë. Tërmeti katastrofal tërësisht e shkatërroi Shkupin. Gjatë goditjes ishin krijuar shumë të çara në tokë. Nga kodrat përreth u rrënuan masa të mëdha shkëmbinjsh. Shkupi më pas u ndërtua në vendin e sotëm.

Edhe qyteti i ri nuk u kursye nga dukuritë sizmike. Tërmeti tjetër katastrofal ndodhi në vitin 1555. Fuqia e tij ishte rreth 10 ballë, pas çka qyteti sërish ishte shkatërruar.

Shkatërrimi i tretë i madh katatrofal i Shkupit ndodhi para saktë 54 viteve, në mëngjesin e 26 korrikut të vitit 1963 në orën 05:17 minuta.