e Mërkurë, 22 Nëntor 2017 | Lajme: 0

E paqartë zgjedhja e Veselit për kryetar të Parlamentit të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryeministër i Kosovës në detyrë, Isa Mustafa, ka deklaruar se LDK nuk do të votojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.

Siç lajmëroi gazeta “Zëri”, Mustafa në profilin e tij në Fejsbuk kumtoi se prapa vendimit të këtillë, krahas LDK-së kanë qëndruar edhe partnerët e koalicionit AKR dhe Alternativa.

Veseli, i cili është lider i PDK-së, ishte paralajmëruar si kandidat për kryetar të Parlamentit nga koalicioni i kryesuar nga PDK, Nisma për Kosovën dhe AAK, i cili fitoi më shumë deputetë në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 11 qershor.

Mbledhja konstituive e Kuvendit të sapozgjedhur të kKosovës, ende nuk është mbajtur pothuajse një muaj e gjysmë pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas zgjedhjeve paralajmëroi se Kuvendi do të konstituohet më së voni deri më 10 korrik, në mënyrë që më pas ta prolongojë atë termin deri më 27 korrik. Megjithatë, pas konsultimeve me liderët e partive parlamentare të hënën, Thaçi e caktoi mbledhjen konstituive për më 3 gusht apo katër ditë para afatit të fundit për mbajtjen e saj.

Pas paralajmërimit të Mustafës se koalicioni i tij nuk do ta mbështesë zgjedhjen e Veselit, mbetet e paqartë nëse Kuvendi në mbledhjen e vet konstituive do të arrijë të zgjedhë kryetarin.