e Mërkurë, 18 Tetor 2017 | Lajme: 0

Panucci zgjedh stafin e tij te Shqipëria

Si çdo trajner i ri, edhe Christian Panucci do të marrë me vete te Shqipëria stafin e tij të besuar.

Bëhet fjalë për profesionistë të cilët tekniku i ri kuqezi i njeh prej vitesh dhe me të cilët ka punuar në eksperiencat e mëparshme.

Krahu i djathtë i Panuccit në stolin e kombëtares shqiptare do të jetë Paolo Rodolfi. 58-vjeçari me një të kaluar në akademinë e Parmës dhe që karrierën si trajner e ka nisur në vitin 2006, duke drejtuar përgjithësisht në nivele të ulëta. Fillimisht te Sanremese, për të shkuar më pas te Nourese në Sardennjë dhe te piemontezët e Valenzanas, transmeton Supersport. Ndërmjet viteve 2009 dhe 2011-ën mori dy herë drejtimin e Melfit në Lega Pro, ndërsa në mes kishte një eksperiencë te Rodengo-Saiano. Ekipi i fundit si trajner ka qenë Kasale në edicionin 2012-2013, ndërsa gjatë sezonit të kaluar Rodolfi punoi si asistent i Panuccit te Ternana.

Përgatitës fizik i kombëtares shqiptare do të jetë Alessandro Ciullini. 53-vjecari ka eksperienca të shumta në Serinë A italiane, por edhe në ligat më të ulëta përtej Adriatikut. Nga Fiorentina, Salernitana, Leçe, Vicenza e Atalanta, për të vazhduar me Sassuolon, Reggina dhe Benevento.

Gjatë karrierës ka punuar me emra të mëdhenj si Fatih Terim dhe Roberto Mancini, por edhe me një të kaluar në përfaqësueset e moshave të Italisë. Me Panuccin përgatitësi fizik, Ciullini punoi te Liverno gjatë sezonit 2015-2016.

Një risi në kombëtaren kuqezi do të jetë pozicioni i analistit video, që përdoret gjerësisht në futbollin e madh europian. Detyrën për analizat e kundërshtarëve do ta ketë Alariço Rossi, ndërsa Christian Panucci konfirmoi se do të ketë edhe dy bashkëpunëtorë shqiptarë, por pa thënë emrat.

Në prezantimin te Shqipëria, ish-lojtari i Milanit, Interit, Romës dhe Realit të Madridit, u shpreh se është e drejtë që pjesë e stafit të jenë edhe profesionistë vendas, sepse beson se ata dhe stafi italianë mund t’i japin shumë njëri-tjetrit dhe është gjithmonë mirë që të ketë shkëmbim idesh.