Thursday, 13 December 2018 | Lajme: 22

Lëvizja BESA nuk merr pjesë në takimin e thirrur nga Vesel Memedi

Lëvizja Besa nuk do të marrë pjesë në takimin e nënshkruesve të Deklaratës së partive politike shqiptare që do të mbahet në Parlament, sepse nga Lëvizja beson se partitë e tjera nuk i përmbahen asaj që u dakordua gjatë procesit të krijimit të Deklaratës.

– Së pari, tryeza e rrumbullakët që do të mbahet sot konceptualisht nuk i përshtatet asaj që ne kemi rënë dakord në Deklaratë. Atëherë në mënyrë të qartë kemi specifikuar se kush duhet të bëj thirrje për mbledhje, dhe kjo që po ndodh tashmë është keqpërdorimi i asaj që është dakorduar më parë. Së dyti, nuk duhet se cilat pika të Deklaratës do të jenë pjesë e pragramit qeveritar. Duhej të ishim të  informuar, jo vetëm ne si Besa, por të gjithë qytetarët. Për këto dy arsye nuk do marrë pjesë në mbledhjen e sotme, – tha Afrim Gashi i Lëvizja Besa për Plusinfo.

Deputeti Fadil Zendeli nga BESA deklaroi se ata nuk marrin pjesë në takim për shkak se ftesa nuk ka qenë e sinqertë dhe pa agjendë konkrete, ndërkaq e ka thirrur njeriu në shërbim të BDI-së.

“Kjo nismë nuk është e sinqertë. Para se të thirret një takim i tillë duhet të konsultohen të gjithë nënshkruesit e Deklaratës me agjendë konkrete. Nga ana tjetër, nismëtar i takimit është njeriu i cili para zgjedhjeve paraprake ishte fajtori kryesor i cili nga aspekti i opozitës nuk arriti të bashkohet dhe të kemi një koalicion, me çka sot do të kishim një pasqyrë tjetër në Kuvend. Siç atëherë i shërbente BDI-së , edhe tani i shërben BDI-së. Prandaj konsiderojmë se në një agjendë të tillë nuk duhet të marrim pjesë. Deklarata shqiptare po keqpërdoret”, konsideron Zendeli.

Takimi është thirrur nga Vesel Memedi, kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK).

“Në përputhje me Deklaratën e partive politike shqiptare të miratuar më 7 janar të këtij viti dhe obligimet e ndërsjella për të thirrur takimet e rregullta të tryezës së partive parlamentare shqiptare në mënyrë që bashkërisht të mbikëqyrim rrjedhën e zbatimit të Deklaratës, kam nderin që t’ju ftoj në takimin e radhës të kryetarëve të partive parlamentare shqiptare që do të mbahet ditën e mërkurë në orën 14:00 në hapësirat e Kuvendit të RM-së në Shkup”, thuhet në ftesënë e RDK-së.

Ndryshe, takimi i fundit u bë më 28 qershor të këtij viti me ftesë të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, në të cilin takim sikur edhe në takimet e mëparshme, nuk mori pjesë Lëvizja BESA.