e Mërkurë, 13 Dhjetor 2017 | Lajme: 0

Takim i partive shqiptare në Kuvend, BESA nuk merr pjesë

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot pasdite mbahet takimi i përfaqësuesve të partive të shqiptarëve, në të cilin, siç është paralajmëruar, bisedohet për pikat e Deklaratës së partive shqiptare.

Në takim marrin pjesë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti si dhe Sadulla Duraki, nga PDSH-së, Luan Tresi dhe Bardhyl Dauti, Gëzim Ostreni nga Uniteti, Surija Rashiti nga LR-PDSH, si dhe Vesel Memedi nga RDK, me nismë të të cilit organizohet takimi. Përfaqësuesi i Besës nuk merr pjesë në takim.

Deputeti Fadil Zendeli nga BESA deklaroi se ata nuk marrin pjesë në takim për shkak se ftesa nuk ka qenë e sinqertë dhe pa agjendë konkrete, ndërkaq e ka thirrur njeriu në shërbim të BDI-së.

“Kjo nismë nuk është e sinqertë. Para se të thirret një takim i tillë duhet të konsultohen të gjithë nënshkruesit e Deklaratës me agjendë konkrete. Nga ana tjetër, nismëtar i takimit është njeriu i cili para zgjedhjeve paraprake ishte fajtori kryesor i cili nga aspekti i opozitës nuk arriti të bashkohet dhe të kemi një koalicion, me çka sot do të kishim një pasqyrë tjetër në Kuvend. Siç atëherë i shërbente BDI-së , edhe tani i shërben BDI-së. Prandaj konsiderojmë se në një agjendë të tillë nuk duhet të marrim pjesë. Deklarata shqiptare po keqpërdoret”, konsideron Zendeli.

Lëvizja BESA nuk merr pjesë në takimin e thirrur nga Vesel Memedi

Ky është takimi i dytë i përfaqësuesve të partive të bllokut shqiptar ku bisedohet për realizimin e deklaratës. Takimi i parë ishte me nismë të BDI-së para rreth një muaji.