e Dielë, 23 Korrik 2017 | Lajme: 1

Grubi takoi ambasadorin hungarez në Maqedoni

Kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, Artan Grubi sot në Kuvendin e Maqedonisë,  ka takuar ambasadorin e Hungarisë në Maqedoni, Laslo Duks.

Siç thuhet në njoftimin zyrtar, Grubi dhe ambasadori hungarez diskutuan për situatën në Maqedoni dhe rajon, integrimin në NATO dhe BE, çështjen e emrit, barazinë gjuhësore dhe reformat sistemore.

Ambasadori Duks ritheksoi mbështetjen e fuqishme të Hungarisë për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Grubi e njoftoi Ambasadorin Duks që Komisioni, me përkrahjen e të gjithë 26 anëtarëve dhe zëvendës anëtarëve, e miratoi njëzëri Deklaratën për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese në NATO dhe BE.

Kjo Deklaratë është obligim nga marrëveshja e Përzhinës dhe përkrahja e plotë nga të gjithë deputetet është arritje e madhe dhe përkushtim për reformat.

Grubi theksoi se këtë proces do ta zhvillojë në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, në partneritet me komunitetin ndërkombëtar dhe shoqërinë civile.

Ata diskutuan edhe për barazinë gjuhësore, ndërsa Grubi theksoi pritjen që Ligji për gjuhën të miratohet në Qeveri sa më shpejt.