e Mërkurë, 22 Nëntor 2017 | Lajme: 0

Zjarre të mëdha në bregun e Adriatikut në Kroaci dhe Mal të Zi

Zjarr i madh shpërtheu mbrëmë pas mesnate në vendin Tugare afër Omishit, dhe menjëherë u përhap drejt Sërnjines në drejtim të Splitit, dhe është ndërprerë komunikacioni në aksin rrugor Sërnjine-Sitno Donje, njoftoi policia e Splitit.

Në shuarjen e zjarrit morën pjesë të gjithë shoqatat vullnetare zjarrfikëse nga rajonet e Splitit, Solin, Kashtelite, Trogir dhe Omishit, me 32 automjete dhe 109 zjarrfikës.

Nuk ka informacione për persona të lënduar, e as për dëme materiale, ndërsa në vendin e zjarrit gjendet edhe një ekip i Ndihmës së shpejtë mjekësore. Zjarri është shkak për ndërprerjen e largpërçuesve Zakuçac- Konjsko dhe Zakuçac-Bilice.

Gjysmë ore pas këtij, zjarr shpërtheu edhe në vendin Bogomole në Hvar, ku digjen pyje të dendura pishe. Këtë zjarr e shuajnë shoqatat vullnetare zjarrfikëse të ishullit, ndërsa u ndihmojnë edhe forcat ajrore.

Në të njëjtën kohë në komunën bregdetare malazeze Tivat sot në mëngjes është zbatuar evakuim i një pjese të popullsisë, për shkak zjarrit të madh që shpërtheu mbrëmë rreth orës 3.

Deri tani me anije janë evakuuar mbi 100 persona, por rreth 20-të të tjerë refuzojnë t’i braktisin shtëpitë e tyre.

Në rajonin e Podgoricës gjithashtu shpërthyen disa zjarre, numri i të cilëve deri mbrëmë arriti 33.

Zjarrfikësit malazez arritën t’i mbrojnë objektet edhe krahas erës së fuqishme.

Mbrëmë gjithashtu, u dogj një depo e madhe me sipërfaqe prej rreth një mijë metra katror, ku është bërë dëm material prej rreth dy milionë euro.