e Mërkurë, 22 Nëntor 2017 | Lajme: 0

KRSKRR: Shoferi i përgjumur është i paaftë të bëjë diçka për të evituar situatë kritike

Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion në Rrugë (KRSKRR) rekomandon se shoferi i përgjumur është i paaftë të bëjë diçka për të evituar një situatë kritike apo ndeshje me një automjet tjetër dhe i këshillon shoferët të cilët do të ndjejnë lodhje të ndalojnë ngasjen dhe të pushojnë dhe sipas mundësisë, të flenë pak para se të vazhdojnë të drejtojnë automjetin.

“Në nënqiellin tonë, lodhja si shkak për fatkeqësi komunikacioni është nëvlerësuar, ndërsa gjithashtu është e pamundur të konstatohet numri i saktë i fatkeqësive në trafik të cilat kanë ndodhur vetëm sepse shoferët kanë qenë tejet të lodhur apo i ka zënë gjumi prapa timonit, por megjithatë një pjesë e madhe e fatkeqësive të cilat ndodhin, posaçërisht në periudhën e verës, theksojnë se lodhja është shkak për fatkeqësi. Këto fatkeqësi shpesh janë me pasoja mjaft serioze sepse përgjumja dhe lodhja e bëjnë shoferin gjysmë të vetëdijshëm për të bërë diçka që të evitohet ndeshja me automjetin tjetër apo dalje nga rruga”, thonë nga KRSKRR.

Lodhja, shtojnë, zakonisht paraqitet pas dy ore ngasje, mes orës së dytë dhe të shtatë të ngasjes apo pasi që shoferi do të kalojë nga 200 deri 500 kilometra varësisht se në çfarë rruge drejton automjetin.

“Lodhja manifestohet shumë ngjashëm tek të gjithë shoferët. Në fillim manifestohet me dëshirë për të fjetur, paraqitet djegie e syve, ndjenjë e ngrohtësisë dhe bllokim i qafës, supe dhe duar, si dhe qarkullim i dobët, mpirje e këmbëve dhe dhimbje në pjesën e poshtme të kurrizit. E tërë kjo mund të çojë drejt gjendjes gjysmë të vetëdijshme dhe ulje të aftësisë për të gjykuar , ndërkaq pasojë është që shoferin ta marrë gjumi prapa timonit sepse atëherë pasojat më shpesh janë tragjike”, sqarojnë nga KRSKRR.

Për pakësim të lodhjes (përgjumjes), theksojnë, efekt të dobishëm ka atmosfera e këndshme në automjet, biseda me bashkëudhëtarët, dëgjimi i muzikës adekuate, si dhe ndryshime të llojllojshme të cilat ndodhin gjatë ngasjes (ndërrimi i mjedisit, vegjetacioni, ndërrimi i kushteve në rrugë, kufizimi i shpejtësisë, ndërrimi i regjimit të ngasjes dhe ngjashëm).

“Ventilimi në automjet duhet rregullisht të kontrollohet dhe adaptohet, kështu që në automjet çdoherë duhet të ketë ajër të pastër dhe do të krijohet mikroklimë e volitshme. Mos e teproni me ftohje apo ngrohje tej mase të hapësirës në automjet. Është shumë me rëndësi të pushoni në intervale të caktuara, të bëni pauza të shkurtëra, të freskoheni dhe të lëvizni. Kur do të bëni pauzë, ecja dhe stërvitjet janë më të dobishme se sa ulja. Është mirë të uleni, por në pozitë tjetër nga ajo që keni qenë ulur në automjet. Gjatë pauzave rekomandohet të merren shujta më të vogla me ushqim lehtë të përpunueshëm (prodhime të qumështit, pemëve, perimeve) dhe pije freskuese (lëngje, çaj), rekomandojnë nga KRSKRR.