e Shtunë, 23 Shtator 2017 | Lajme: 0

Hahn: Deklaratat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të rrezikshme dhe të papranueshme

Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, hedh dritë mbi një sërë çështjesh të aktualitetit politik në vend, ku tregon prespektivën që ka Shqipëria për t’u anëtarësuar në BE. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Tema”, Hahn jep vlerësimin e tij për hapat e hedhura nga qeverisja “Rama”, si dhe apelon ndaj palëve politike që të rrisin bashkëpunimin në mënyrë që të arrihen rezultate të prekshme për qytetarët.

Ai rekomandon se duhet të vijojë më tej puna për të përmbushur pesë prioritetet kryesore dhe veçanërisht lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.

I pyetur lidhur me paralajmërimin për “bashkim kombëtar” në rast se BE mbyll dyert për Shqipërinë dhe Kosovën, Hahn gjykon se ky diskutim është i rrezikshëm dhe i papranueshëm, duke shtuar se duhet parë e ardhmja e të gjithë rajonit.

Presidenti i Kosovës Thaçi, kandidati për kryeministër Kurti si dhe kryeministri shqiptar Rama kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre mbi një bashkim të mundshëm kombëtar nëse BE nuk hap dyert për të dy vendet. Si e vlerësoni këtë deklaratë?

Para së gjithash, ekziston një perspektivë e pakontestuar qe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë partnerët në rajon në mënyrë bilaterale për rrugën e tyre europiane.

Siç e kemi stërthënë unë dhe përfaqësuesja e lartë, zonja Mogherini, deklarata të cilat mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje, nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe e ekspozojnë rajonin ndaj rreziqeve të retorikës përshkallëzuese dhe tensioneve etnike. Ky apel vlen për të gjithë aktorët kryesorë te politikës në rajon, të cilët me veprimet dhe deklaratat e tyre duhet të tregojnë përgjegjësi për stabilitetin e të gjithë rajonit.

Bashkimi Europian pret që të gjithë udhëheqësit e rajonit të vazhdojnë ndërtimin e marrëdhënieve konstruktive, bashkëpunuese dhe të intensifikojnë punën me programet përkatëse të reformave për të ecur përpara në rrugën e integrimit europian. Samiti në Trieste tregon rolin kyç të bashkëpunimit dhe ndërlidhjes së suksesshme rajonale për përgatitjen e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

A është i mundur një bashkim midis dy vendeve nëse të dy qeveritë shprehin vullnetin e tyre të lirë në këtë drejtim?

Ky diskutim është i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Mendoj se është e rëndësishme të shikohet perspektiva e të gjithë rajonit. E gjithë energjia dhe fokusi duhet të drejtohen tek axhenda e reformave të lidhura me tri shtyllat e strategjisë së zgjerimit: sundimi i ligjit, qeverisja ekonomike dhe reforma e administratës publike. Kjo do të përmirësojë kushtet e jetës së qytetarëve.