e Dielë, 23 Korrik 2017 | Lajme: 1

Deponia e Strugës sërish po digjet, qytetarë të revoltuar hedhin mbeturina para komunës

Deponia në Strugë prej dje pasdite sërish në flakë. Struganët e revoltuar mbrëmë kanë lënë mbeturina para ndërtesës komunale me qëllim që t’ua bëjnë me dije kompetentëve se duhet të ndërmerren masa për zgjidhje të problemit dhe mbikëqyrje të vazhdueshme mbi deponinë që të mos vijë deri në djegie të sërishme.

Tymi i dendur, i cili mbrëmë u përhap nga deponia, era e dërgonte mbi qytet, që shkaktoi reagime tek struganët.

Gligorie Qatoski, përfaqësues i iniciativës qytetare “Dosta” (Mjaft), informoi se në qoftë se kompetentët nuk i përmbushin kërkesat e tyre për dislokim të deponisë së egër, e cila sipas tij, paraqet rrezik për shëndetin e struganëve, qytetarët do të ndërmarrin masa më radikale midis të cilave bllokim të rrugëve magjistrale, ndërsa nuk përjashtohet as bllokimi i vendkalimit kufitar Qafëthanë.

133764251 utrovo-640x811-520x659

“Shpenzuam rreth 100 mijë euro që ta shuajmë dhe bllokojmë deponinë, por nuk është mbyllur. Komuna e Strugës në vendin e njëjtë sërish hedh mbeturina. Në protestën e  fundit paralajmëruam se edhe kjo mund të ndodhë, mbeturina të përfundojë para ndërtesës komunale”, theksoi Qatoski.

Tani, sipas tij, edhe më kritike është që në deponi nuk ka një person i cili e mirëmban dhe sërish është djegur qëllimisht. “Për momentin, deponinën nuk e mirëmban askush, është shpallur tender për mirëmbajtje të saj, por problemi mund të zgjidhet vetëm institucionalisht”, theksoi Qatoski.

Në emër të Iniciativës, por edhe të të gjithë struganëve, ai kërkoi dislokim të plotë të deponisë, e cila nuk është legale dhe në pajtueshmëri me standardet. Në qoftë se mbetet në lokacionin ekzistues, Qatoski konsideron se edhe po të konservohet, sërish do të ndotë.