e Dielë, 23 Korrik 2017 | Lajme: 1

Premtimi parazgjedhor i LSDM-së bie në ujë?! Rryma e lirë vetëm për familjet e varfra

A po bie në ujë premtimi parazgjedhor i Zoran Zaevit për kthimin e tarifës së lirë të energjisë elektrike? Dilema u hap pasi drejtori i Komitetit Evropian të Energjisë Janez Kopaç theksoi se këtë beneficion, sipas ligjeve për tregti të Unionit do të mund ta shfrytëzojnë eventualisht vetëm kategoritë e rrezikuara apo familjet e varfra , edhe atë më shumti – 2 vjet. Kopaç potencoi se kjo masë assesi nuk mund të merret në shpenzim të qytetarëve, por konsumi i energjisë duhet të mbulohet me mjete nga buxheti shtetëror, njofton TV 21.

“Nëse realizohet një masë e tillë për konsumatorët, atëherë kjo duhet të vlejë vetëm për kategoritë e rrezikuara sociale. Për këtë do të nevojitet definicion i caktuar. Një definicion i atillë nuk ekziston në nivel evropian andaj do të duhet të bëhet në nivel shtetëror, por gjithsesi se duhet të ekzistojë. Pra, kjo masë nuk do të vlente për të gjithë, por vetëm për konsumatorë të caktuar”, tha Janez Kopaç, Drejtor i komitetit Evropitan të energjisë.

Para dy javëve, zëvendëskryeministri për ekonomi Koço Angjushev në Klik Plus të TV21 pohonte se premtimi parazgjedhor do të realizohet deri në tetor. Sipas këtij premtimi, qytetarët tarifën e lirë të energjisë do ta përdorin nga ora 13 deri në orën 16.

“Këtë do të mund ta realizonim diku në fund të tetorit, sepse ky është një proces që do të kërkonte ndërrimin e matësve nëpër Maqedoni që numërojnë diku rreth 600 mijë. Nuk do të heqim dorë. Kjo do të bëhet”, u shpreh Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Edhe pse vendosja e tarifës së lirë të rrymës ishte një nga premtimet kyçe të LSDM-së gjatë fushatës parazgjedhore, ministri Zoran Shapuriq deklaroi sot se ende nuk janë bërë analizat e hollësishme se sa do t’i kushtonte shtetit kjo masë.