e Dielë, 23 Korrik 2017 | Lajme: 0

Inzaghi duket më i preferuari për Kombëtaren

Kandidatët për të pasuar Gianni De Biasi te Kombëtarja janë të shumtë në qarkullim, por duket se po shikohet me më tepër seriozitet ai i Filippo Inzaghi.

“Gazzetta dello Sport” dhe “Corriere dello Sport” në numrin e ditës së premte publikuan disa të dhëna zhvillimet e deritanishme.

Kontaktet kanë nisur me menaxherin e Super Pippo, pasi vetë 43 – vjeçari është me pushime me familjen në Ibiza. Kandidaturën e Super Pippo e përmend edhe “Corriere dello Sport” që shkon deri aty sa të shkruajë që pritet një përgjigje e shpejtë nga trajneri.

Buxheti i FSHF-së për trajnerin dhe stafin e tij nuk është i jashtëzakonshëm dhe Filippo Inzaghi kërkon 6 ose 7 bashkëpunëtorë në staf.

Në vendim do të ketë peshë edhe klubi i Venezia, pasi Inzaghi është nën kontratë edhe për 1 sezon. Ish-trajnerit të Milan i pëlqejnë sfidat dhe Shqipëria mund të jetë një e tillë.

“Gazzetta dello Sport” nuk ngurron të përmendë si kandidatë edhe Christian Panucci, Delio Rossi apo Alberto Zaccheroni. Federata Shqiptare e Futbollit bëri me dije se emri i trajnerit të ri do të zyrtarizohet brenda muajit Korrik./Tv Klan