e Dielë, 25 Qershor 2017 | Lajme: 0

Shqipëria prej sot pa trajner, De Biasi largohet me një letër emocionuese

Trajneri i kombëtares shqiptare Gianni De Biasi dje në konferencë për shtyp publikoi se në fund të eliminatorëve do të largohet nga Kombëtarja e Shqipërisë.

Por, sot kryetari i Federatës shqiptare të Futbollit, Armando Duka mbajti konferencën e radhës, për të ditur të ardhmen e De Biasit, i cili me këtë rast kumtoi se do të largohet nga kuqezinjtë që nga dita e sotme.

“Që nga dita e sotme nuk jam më pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Do të ndalem këtu sepse dëshiroj të mirën e ekipit. Është një zgjedhje luftarake dhe shumë e vështirë, shpresoj që të gjithë ta pranoni këtë. Kemi jetuar në disa vite shumë me emocione dhe kemi arritur rezultate të mirë dhe befasuese për të gjithë. Gjatë gjithë kësaj kohe kam punuar me pasion këtu dhe më mund të madh”, tha De Biasi.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka pas tërheqjes së De Biasit e ka falenderuar trajnerin për kontributin në ekipin kombëtar.

“Dua të falenderoj trajnerin për kontributin në ekipin kombëtar, në futbollin shqiptar dhe në të gjithë punën e FSHF. Jam jo i qetë, i emocionuar, sepse kemi kaluar 5 vite punë. Pesë vjet që i kanë patur të gjitha, shumë emocione, por edhe debate. Por, mbi të gjitha me një sukses të pazakonte, që do të lejë shenjë në jetën time, si një nga sukseset më të mëdha që kemi arritur falë punës, angazhimit dhe asaj që injektoi Gianni.

Kur emëruam zotin De Biasi në krye të Kombëtares, edhe pse kishim disa alternativa, besuam se do të arrinim di[ka. Sot edhe pse jo një ditë normale dhe jo e mirë, sepse ndahemi nga një bashkëpunëtor, por ndahemi me bindje pozitive sepse bëm mirë dhe bëm zgjidhjen e duhur. Edhe pse nuk e mendoj si trajneri se cikli i tij ka përfunduar.

Edhe pse nuk kam thënë asgjë se kontrata duhet të vazhdojë. Duke menduar se gjithmonë negociatat për kontratë dëmtojnë qëllimin kryesor, ekipin Kombëtar. Në asnjë moment nuk kam menduar që të mos vazhdonim më tej. De Biasi është trajneri më i mirë i Kombëtares shqiptare, më i miri deri më sot. Për sukseset e arritura dua ta falënderoj. Nga pikëpamja umane dhe miqësore nuk kemi humbur asgjë, sepse do të vijojmë të jemi miq. Madje nga sot e tutje do të jemi edhe më tepër miq.

Prej ditës së konferencës së trajnerit kam qenë i emocionuar. Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies nuk ka qenë i konsoliduar, përkundrazi mendonim të shikonim së bashku drejt së ardhmes,” u shpreh Duka.