e Mërkurë, 22 Nëntor 2017 | Lajme: 0

Koncert humanitar i Dino Imerit në vend të operës së anuluar “Madam Baterflaj”

Opera dhe baleti i Maqedonisë kumtoi se anulohet opera “Madam Baterflaj” e cila në kuadër të Netëve operistike të majit ishte caktuar për më 28 maj në performancë të Teatrit kombëtar të operës dhe baletit të Shqipërisë.

Në vend të kësaj shfaqje, një ditë përpara (27 maj), OBM-ja do të organizojë koncert humanitar të pianistit Dino Imeri, me qëllim që të mblidhen para për mjekimin e mëtutjeshëm jashtë vendit të pianistit-nxënësit të ri Nikolla Aleksovski.

“Të gjithë qytetarët humanë do të mund të donojnë përmes blerjes së biletës me çmim simbolik në OBM, si dhe përmes llogarisë bankare të nënës së tij: Elizabeta Aleksovska 300007085053957 Banka komerciale SHA Shkup”, informon Opera dhe baletit i Maqedonisë.

Dino Imeri (1990) është një prej pianistëve më me perspektivë të Maqedonisë, i cili arsimin e tij e ka marrë te profesorët Ludmilla dhe Boris Romanovi dhe te Simon Tërpçeski, ndërsa si mysafir ka qenë në podiumet e njohura të koncerteve evropiane.

Në koncertin humanitar, Imeri do t’i luajë Sanatin nr.23 op.57 “Apasionata” të Betovenit dhe tre vepra nga Franc List –  “La Kampanella”, Mefisto Valcer nr.1 dhe Rapsodi hungarez nr.2.

OBM-ja përmend se biletat e blera për “Madam Baterflaj” mund të zëvendësohen për koncertin humanitar ose të kthehen në biletarinë e saj.