e Dielë, 23 Korrik 2017 | Lajme: 1

Ekspozitë e Ilirjan Beqirit dhe Bashkim Mexhitit në Sofje

 Ekspozitë arti “Lirikë dhe gjurmë ekspresive” nga Ilirjan Beqiri dhe Bashkim Mexhiti sonte do të hapet në hapësirën e galerisë së Qendrës kulturore-informative të Republikës së Maqedonisë në Sofje.

Ekspozitën do ta hapë drejtori i Qendrës Vasko Shutarov.

Ekspozita e përbashkët e Ilirjan Beqirit dhe Bashkim Mexhitit në KQI të Republikës së Maqedonisë është prezantimi i tyre i parë kualifikues para publikut në Sofje. Projekti është pjesë e programit vjetor të KQI-së së Republikës së Maqedonisë në Sofje për vitin 2017 dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës.

Ilirjan Beqiri ka diplomuar në Fakultetin për art figurativ, dega pikturë në Universitetin e Tetovës në vitin 1998, ndërsa ka magjistruar në vitin 2002 në Universitetin në Prishtinë. Nga viti 1998 deri në vitin 2002 ka qenë asistent në Fakultetin për art figurativ, ndërsa nga viti 2002 deri në vitin 2005 edhe profesor në fakultetin e njëjtë. Beqiri ka realizuar shumë ekspozita të pavarura dhe ekspozita grupore në Maqedoni edhe në shtetet e rajonit, ndërsa ka marrë pjesë edhe në shumë koloni figurative.

Bashkim Mexhiti është piktor akademik nga Gostivari, i cili ka realizuar shumë ekspozita të pavarura dhe grupore në Maqedoni dhe jashtë saj. Në dhjetor të vitit 2007 ishte pjesëmarrës në një projekt figurativ të artistëve nga vendet ballkanike, të prezantuar edhe në Sofje.