e Premte, 24 Nëntor 2017 | Lajme: 0

Lëvizja Besa konteston legjitimitetin e Talat Xhaferit

Kastriot Rexhepi i Lëvizjes BESA gjatë emisionit Analiza në Tv24 tregoi se egzistojnë dilema se a ka pasur shumicë gjatë zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryeparlamentar.

Ai tha se dilema e radhës mbetet se a ka pasur shumicë gjatë zgjedhjes së Talat Xhaferit për faktin e thjesht se në Kuvend nuk ishte Ali Ahmeti dhe Branko Manojlovski pasi BESA nuk e ka mbështetur Xhaferin.

– Gjatë propozimit të Talat Xhaferi si kandidat për kryetar Kuvendi, ai ishte propozim i LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për shqiptarët. Pra, ne nuk ishim pjesë e atij procesi konsultimesh dhe për këtë arsye ne mendojmë se duhet të diskutohet më tej si një tërësi për bashkëpunim të mëtejshëm të mundshme në koalicionin qeverisës – u shpreh Kastriot Rexhepi, deklaratë kjo me të cilën konfirmon se Lëvizja BESA nuk ka votuar për Talat Xhaferin.

Sa i përket pjesëmarrjes se BESËS në Qeverinë e ardhshme, Rexhepi tha se ata kanë përgatitur ekip për të filluar bisedimet.

– Ne do të diskutojmë përcaktimet tona politike me mandatarin. Lëvizja BESA këtë proces për ndryshime e ka përkrahur në mënyrë konstruktive. Ne nuk kemi biseduar dhe nuk kemi kërkuar që të bisedojmë në mënyrë që sa më shpejtë të merret mandati. Tani, pasi ka marrë mandatin Zaev, ai ishte tek selia jonë, dhe kishte takim me Kasamin. Ai tha se dëshiron që BESA të jetë pjesë e qeverisë së re. Ne kemi përgatitur ekip për bisedime, kemi strategji dhe besojmë se në ditët e ardhshëm do të fillojmë bisedimet. Ne jemi të interesuar që sa më shpejtë të formohet qeveria, dhe premtimet të realizohen”, tha Rexhepi.