e Martë, 22 Gusht 2017 | Lajme: 0

Presidenti Ivanov për vizitë pune në Jordani

Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov nesër do të qëndroj për vizitë pune në Mbretërinë Heshemite të Jordanisë me rastin e pjesëmarrjes në Forumin ekonomik botëror për Lindjen e Afërt dhe Afrikën Veriore, që mbahet në Aman.

Ivanov, siç kumtoi Kabineti i tij, do të merr pjesë në sesionin plenar të hapjes solemne të Forumit ekonomik botëror për Lindjen e Afërt dhe Afrikën Veriore dhe në sesionin me temë “Mbrojtja e refugjatëve “.

Në suaza të vizitës së punës, presidenti Ivanov do të realizojë takim bilateral me mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullai i II, si dhe disa takime bilaterale me pjesëmarrësit në forum.

Në forumin ekonomik botëror për Lindjen e Afërt dhe Afrikën Veriore është paralajmëruar pjesëmarrje e mbi 1.000 liderëve politik, përfaqësues të sektorit të biznesit dhe shoqërisë civile, prej më shumë se 50-të shteteve.

Temat e diskutimit në forum kanë të bëjnë me rolin e Mbretërisë së Jordanisë në rajon, perspektivat ekonomike të vendeve nga ky rajon, ndryshimet në gjeopolitikë dhe sfidat gjeopolitike lidhur me situatën në Siri, Irak dhe Libi, si dhe krizën aktuale migruese.