e Martë, 12 Dhjetor 2017 | Lajme: 0

Nuk ka paraburgim për Koçanin, gjykata ka pranuar garanci

I dyshuari i parë në rastin “Trust” biznesmeni Sead Koçan nuk do të shkojë në paraburgim. Gjykatësi në procedurë të domosdoshme e ka pranuar propozimin e avokatit të tij Nikolla Dodevski, dhe ka marrë vendim që Koçanit t’i caktohet garanci e caktuar në të holla prej 875.298,56 eurove, t’i merret pasaporta dhe t’i imponohet detyrimi që ta paraqitet një herë në javë në gjykatë, thuhet në kumtesën e sotme nga Gjykata Penale e Shkupit.

Vendimin e këtillë, Gjykata e ka sjellë për shkak të gjendjes së përkeqësuar të Koçanit, ndërsa si të pabazë e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë speciale publike që t’i caktohet masë paraburgimi biznesmenit për shkak të rrezikut që të ndikojë mbi dëshmitarët ose, ta përsërisë veprën.

Kundër vendimit që të mos ketë paraburgim, palët kanë të drejtë në ankesë deri te Këshilli penal në afat prej 24 orëve, ndërsa afat prej tre ditëve në raport me garancinë dhe masat e përcaktuar, informojnë nga Gjykata Penale.