e Mërkurë, 22 Nëntor 2017 | Lajme: 0

Kasami: Në asnjë moment nuk është pranuar që partitë shqiptare të heqin dorë nga Platforma Shqiptare

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në emisionin Click Plus tha se BESA nuk do të tërhiqet në asnjë moment nga Deklarata e përbashkët e partive shqiptare në Maqedoni.

Çfarë garanca dërgoi Zaevi tek Ivanovi, Kasami tha në mënyrë të prerë se nuk kanë të bëjnë me kushtet e përcaktuara në Platformën Shqiptare.

“Në asnjë moment nuk është pranuar që partitë shqiptare të heqin dorë nga Platforma Shqiptare. Kërkesat e partive politike do të realizohen në kuadër të Kushtetutës së Maqedonisë si dhe në kuadër të avancimit të të drejtave të qytetarëve përfshirë këtu edhe shqiptarëve në Maqedoni. Kjo nënkupton edhe ridefinimin e Maqedonisë”, tha Kasami.

Kasami tha se BESA në takimin me kreun e LSDM-së ia ka bërë të qartë parakushtet e BESËS për mundësinë e përfshirjes në qeverisje, Zoran Zaevit.

“Votuesit dhe përkrahësit e Lëvizjes BESA janë shumë të qartë në konsistencën e qëndrimeve dhe parimeve tona politike. Sigurisht se kjo sjellë edhe një mendësi të re politike, e cila është vështirë e kuptueshme për ata, që thuajse mision të vetëm e kishin nënshtrimin karshi partnerit maqedonas në fillim për leverdi personale, e tani për ta shpëtuar lëkurën e tyre politike. Parimet tona për pjesëmarrje në qeveri janë të njohura dhe të deklaruara qysh nga koha e fushatës elektorale. Parakushtet themelore që BESA të diskutojë për mundësinë e përfshirjes në qeveri janë tri: se BESA pranon të marrë pjesë në qeverisje vetëm nëse në të nuk ka figura politike të inkriminuara dhe të dyshuara nga Prokuroria Speciale Publike dhe afera të tjera që e kanë dëmtuar interesin publik; BESA pranon të jetë e pjesë e bisedimeve për qeverisje vetëm nëse pranohet diskutimin për RIDEFINIMIN e sistemit juridiko-kushtetues të shtetit dhe se BESA do të pranojë të bëhet pjesë e qeverisjes vetëm nëse marrëveshja qeveritare do të jetë transparente për publikun dhe e afatizuar“, ka deklaruar Kasami