e Martë, 17 Tetor 2017 | Lajme: 0

Haredinaj, Veseli dhe Limaj lidhën marrëveshje parazgjedhore koalicioni

Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur, në minutat e fundit të afatit për regjistrim të koalicioneve, një marrëveshje koalicioni me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt dhe Nismën për Kosovën të Fatmir Limajt, njoftoi Radio Evropa e Lirë.

Koalicioni i tri partive politike u zyrtarizua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në minutën e fundit të afatit zyrtar për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, kanë njoftuar zyrtarë të Komisionit, pak kohë pas mesnatës të së martës.

Tri partitë arritën marrëveshjen e koalicionit pak orë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës nënshkroi marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re të zotit Behgjet Pacolli dhe me nismën e regjistruar si Alternativa të ryetares aktuale të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe deputetit Ilir Deda.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasojnë rrëzimin e qeverisë së koalicionit LDK-PDK, në një mocion mosbesimi të ngritur nga partitë në opozitë por të mbështetur edhe nga deputetët e Partisë Demokratike në pushtet.

Një ditë pas shpërbërjes së Kuvendit, që pasoi rënien e qeverisë, Presidenti Hashim Thaçi, pas konsultave me partitë politike parlamentare të cilat i bojkotoi LDK,mori vendimin për të shpallur 11 qershorin ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.