e Martë, 22 Gusht 2017 | Lajme: 0

Zëri: Kosova ka më shumë votues, se sa banorë

Në listat e votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës gjendem mbi 615 mijë votues më shumë se sa është numri i përgjithshëm i qytetarëve të Kosovës, vëren gazeta “Zëri”.

Të drejtë vote për zgjedhjet që do të mbahen më 11 qershor të këtij viti kanë rreth 1.9 milion kosovarë, ndërsa statistikat zyrtare thonë se Kosova nuk i ka as 1.8 milion banorë.

Ky dallim i madh midis numrit të votuesve dhe numrit të banorëve vlerësohet se është pasojë e dështimit të vazhdueshëm të institucioneve që të pastrojnë listat e votuesve. Për këtë arsye, në zgjedhjet e kaluara kanë ndodhur keqpërdorime masive të votave në vend.

Por, Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, ka thënë për gazetën “Zëri” se listat zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme janë të pastruara. Ajo ka thënë se në listat e votuesve përfshihen të gjithë qytetarët që gjenden në regjistrin civil, pavarësisht se ku jetojnë.

“Kjo është një çështje e cila në çdo zgjedhje diskutohet, po ata janë të gjithë votues dhe i përfshin të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët janë të regjistruar në regjistrin civil, sepse ne e marrim ekstraktin nga regjistri civil. Aty janë të përfshirë të gjithë diaspora dhe të gjithë qytetarët të cilët janë të regjistruar, ata kanë edhe të drejtë vote”, ka thënë Daka.

Me këtë shpjegim të shefes së KQZ-së nuk pajtohet ish-deputeti i Vetëvendosjes Mytaher Haskuka.

“Nëse bëhet një kalkulim i thjeshtë, del se në listat zgjedhore janë 615 mijë persona më shumë se sa ka banorë Kosova”, ka thënë Haskuka për “Zërin”.

Ai ka thënë se ky ndryshim përbën rrezik për manipulim të zgjedhjeve në Kosovë.