e Martë, 26 Shtator 2017 | Lajme: 0

Replika, kundër replika dhe vërejtje procedurale në vazhdimin e 16-të të seancës konstitutive

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot e mbajti vazhdimin e 16-të të mbledhjes konstitutive në të cilën debatohet për zgjedhje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve dhe si pikë e fundit e seancës është zgjedhja e kryetarit të Parlamentit.

Në rrjedhën e deritanishme të debatit tema kryesore është platforma e Tiranës dhe kush dhe pse ka dobi nga kriza politike në vend.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së konsiderojnë se platforma është imponuar pas zgjedhjeve dhe kërkojnë që LSDM-ja të heqë dorë prej saj dhe të shkojë në zgjedhje të reja, në të cilat, siç thonë, qytetarët do të dinë se për çfarë të votojnë.

Nga LSDM-ja, nga ana tjetër, konsiderojnë se me debatin nuk respektohet Rregullorja e Kuvendit dhe e deputetët e VMRO-DPMNE-së diskutojnë për tema që nuk kanë lidhje me pikën e rendit të ditës.

Ejup Alimi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, në vërejtje procedurale , kërkoi nga deputetët që të flasin për tema të rendit të ditës dhe të mos bllokohet Kuvendi, si dhe të lejohet zgjedhja e Komisionit dhe kryetarit të Kuvendit.

Memedi Veseli nga Aleanca e Shiptarëve theksoi që të lexohet libri “Nga Osaka deri në Dizhon” që të mësohet se kush ka përfitime dhe dobi nga kriza. Sipas tij, dobi kanë të gjitha forcat dhe rrymat destruktive që ekzistojnë në partitë politike, institucionet dhe komunitetet fetare në vend të cilat nuk kanë etnikum dhe të cilat shumë mirë komunikojnë midis njëra-tjetrës.

Seanca do të vazhdojë pas pushimit njëorësh.

Në pajtim me atë për të cilën është arritur marrëveshje, në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve duhet të bëjnë pjesë gjashtë përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, pesë të LSDM-së, ndërkaq BDI dhe BESA të kenë nga një anëtar.

Mbledhja konstitutive e Kuvendit filloi më 30 dhjetor të vitit të kaluar, por ishte ndërprerë sepse nuk ishte siguruar shumicë parlamentare për zgjedhje të kryetarit të Shtëpisë ligjvënëse.