e Shtunë, 29 Prill 2017 | Lajme: 1

Komisioni Qendror Zgjedhor i Shqipërisë nuk e vazhdon afatin për parashtrimin e kandidaturave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë nuk e shtyu afatin e regjistrimit të partive dhe koalicioneve siç kërkonte Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kërkesa u diskutua por nuk u mor parasysh.

“KQZ nuk duhet të marrë vendim lidhur me këtë kërkesë. Përtej datës 29 prill nuk ka më kohë për manovra të tilla politike”, deklaroi kryetari, Denar Biba.

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, siç njofton Top Chanel, dërguan kërkesën për të shtyrë me disa ditë afatin e regjistrimit të koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit.

Dy partitë aleate që bashkëqeverisin nuk u regjistruan si koalicion zgjedhor me datën 19 prill, në ditën e fundit kur duhet ta bënin këtë hap, sipas afateve të përcaktuara në Kodin Elektoral.

Gramoz Ruçi dhe Luan Rama, të cilët kanë firmosur letrën drejtuar KQZ-së, thonë se e bazojnë kërkesën tek dhënia e një shansi më shumë “për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet parlamentare të datës 18 qershor”.

Por, Partia Demokratike e ka hedhur poshtë këtë ofertë. Edhe Edi Paloka i nisi një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilit i shkruan të kundërtën e argumenteve të aleatëve qeveritarë.

Vendimi pro shtyrjes, sipas Partisë Demokratike, “jo vetëm është antiligjore” dhe do ta përvijonte KQZ-në si institucion thellësisht politik në duart e qeverisë, por do të paragjykonte çdolloj zgjidhjeje politike të krizës së thellë në vend.