e Mërkurë, 18 Tetor 2017 | Lajme: 0

Ahmeti – Timonier: BDI veproi në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve dhe ndërkombëtarëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në Tetovë ka zhvilluar një takim pune me ambasadorin e Francës në Maqedoni, Kristian Timonier.

Lideri i BDI-së Ahmeti dhe ambasadori Timonier diskutuan hapur mbi situatën politike në vend, rrethanat gjeopolitike dhe mundësitë për zgjidhje të ngërçit politik dhe institucional në vend.

Ahmeti elaboroi mbi të gjitha hapat konstruktiv për dalje nga kriza që ka ndërmarrë Bashkimi Demokratik për Integrim në përputhje me pritjet e qytetarëve dhe pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar.

BDI si parti fituese tek shqiptarët dhe përcaktuese në këtë mandat, i dha përkrahjen vendimtare shumicës së re reformuese parlamentare për të formuar një Qeveri e cila do të zbaton agjendën dhe programin e paracaktuar nga komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet zbatimit të përpiktë të reformave në gjyqësor, rrumbullakësimit të Marrëveshjes së Ohrit, integrimit euroatlantik.

Lideri i BDI-së njoftoi ambasadorin Timonier që BDI ka vijuar, edhe përtej ndërmarrjes së të gjitha hapave paraprak, me përpjekjet për dalje nga kriza duke ftuar në veçanti dy partitë politike maqedonase që të angazhohen pa asnjë vonesë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes dhe realizimit të pritshmërive të qytetarëve për paqe, stabilitet dhe siguri.

Çdo vonesë paraqet mundësi për kundërshtarët e rrugës sonë drejt integrimit në NATO dhe BE për të shtruar ndikimin e tyre dhe për të thelluar hendekun midis qytetarëve të vendit tonë.