e Premte, 24 Nëntor 2017 | Lajme: 0

Real, Atletiko, Juventus dhe Monako në gjysmënfinalen e Ligës së kampionëve

Gjysmënfinalistët e Ligës së kampionëve janë Real Madrid, Atletiko Madrid, Juventus dhe Monako.

Juventus dhe Monako mbrëmë arritën të plasohen në gjysmëfinale të Ligës së kampionëve pas eliminimeve të Barselonës, respektivisht Borusia Dortmundit.

Në “Kamp Nou” Barselona dhe Juventusi luajtën pa gola, dhe kështu “Zonja e Vjetër” me fitoren nga ndeshja e parë me rezultatin 3:0 u plasua në gjysmëfinale.

Në ndeshjen e dytë, Monako e mundi Borusia Dortmundin me rezultatin 3:1 dhe me rezultat të përgjithshëm 6:3 nga të dy ndeshjet u plasua në gjysmëfinale. Golashënues për Monakon ishin Kilian Mbape në minutën e 3-të, Radamel Falkao në minutën e 17-të dhe Valer Zhermen në minutën e 81-të, ndërsa golin për “milionerët” e shënoi Marko Rojs në minutën e 48-të.

Të martën në gjysmfinale u plasuan Real Madrid dhe Atletiko Madrid pasi që në ndeshjet kthyese të çerekfinales ishin më të suksesshëm se rivalët Bajern, përkatësisht Lester.

Kampioni evropian Real Madrid madje pas vazhdimit e eliminoi Bajern Munihun, pasi në 90 minutat e rregullta rezultati ishte 2:1 për kampionin gjerman, me çka e barazoi rezultatin e përgjithshëm (3:3). Në vazhdim Reali shënoi tre gola për fitore 4:2 apo rezultat të përgjithshëm 6:3.

Golat për Real Madridin i shënuan: Kristiano Ronaldo në minutën 76, 105 dhe 110 dhe Marko Asensio në minutën e 112-të. Shënues për Bajernin ishin Robert Levandovski në minutën 53 (penalti) dhe autogoli i Serhio Ramosit në minutën 78. Bajerni ndeshjen e përfundoi me 10 lojtarë pasi që në minutën 84 ishte përjashtuar Arturo Vidal.

Kampioni anglez Lester nuk arriti ta eliminojë Atletiko Madridin pas rezultatit 1:1 në revansh. Ekipi spanjoll me rezultat të përgjithshëm 2:1 u plasua në gjysmëfinale.

Mysafirët erdhën në epërsi me golin e Saul Niguez në minutën 26, ndërkaq barazoi Xhejmi Vardi në minutën e 61-të.

Tërheqja e shortit do të mbahet nesër në Nion