e Martë, 27 Qershor 2017 | Lajme: 0

Austria kërkon mbylljen e “rutës mesdhetare për refugjatët”

Ministri austriak i Punëve të Brendshme Volfgang Sobotka angazhohet për mbylljen e “rutës mesdhetare”, nëpër të cilën për momentin një numër më i madh i refugjatëve vijnë në Austri.

“Krahas mbylljes së ‘rutës ballkanike’  tani me rëndësi kyçe është që të mbyllet edhe ‘ruta mesdhetare'”, theksoi Sobotka për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.

Ai shtoi se “shpëtimi në det të hapur nuk mund të jetë hyrje në Evropë”.

“Për momentin është vështirë të vlerësohet si do të lëvizë numri i refugjatëve në muajt e ngrohtë. Austria është në kontakt me Italinë, me qëllim të reagojë në të gjitha eventualitetet”, thekson Sobotka.

Ai shtoi se në afat prej disa orëve mund të zbatohet menaxhimi i kufijve, si dhe se nuk ka alternativë për zgjidhje të përbashkët evropiane, që përfshin mbrojtje efektive të kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.