e Mërkurë, 18 Tetor 2017 | Lajme: 0

Ibarahimi: Mbi 43 mijë të punësuar të rinj me masat qeveritare, sivjet 10 mijë punësime të reja

Rreth 43 mijë persona janë punësuar deri më tani në Maqedoni përmes masave qeveritare për punësim, ndërsa për sivjet janë planifikuar edhe 10 mijë punësime të reja.

“Deri më tani punësimet e hapura flasin se kemi bërë hap pozitiv në uljen e papunësisë, por, gjithashtu edhe këto dhjetë mijë të planifikuara për sivjet, për të cilat besoj se do të realizohen, flasin se jemi në drejtim të duhur”, tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale Ibrahim Ibrahimi pas vizitës në kompaninë për pajisje të zyrave dhe pajisje teknike “Anhoç”, shfrytëzues i këtyre masave qeveritare.

Ai shtoi se edhe projektet “Maqedonia punëson 1 dhe 2″ gjithashtu kanë dhënë efekte pozitive.

“Vetëm përmes ‘Maqedonia punëson 1′ janë siguruar 25.000 punësime të reja, ndërsa 6.600 punësime përmes ‘Maqedonia punëson 2′. Iu bëj thirrje të gjitha kompanive që ta shfrytëzojnë periudhën deri më 20 korrik, deri kur është afati i fundit për të aplikuar për ‘Maqedonia punëson 2′, që të aplikojnë dhe t’i shfrytëzojnë volitshmëritë që i ofron pikërisht ky projekt, me qëllim të rritjes së punësimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës”, theksoi Ibrahimi.

Potencoi se në dhjetë vitet e fundit është arritur numri prej mbi 150 mijë punësime, që, siç theksoi, do të thotë se Qeveria ka krijuar politika të mira dhe i ka realizuar në drejtim të uljes së papunësisë.

Udhëheqësja e Qendrës për Punësim Shkup, Sllobodanka Aleksovska theksoi se kompania që sot e kanë vizituar është një shembull shumë i suksesshëm i cili ka punësuar persona përmes këtyre masave.

Ivica Angelovski nga “Anhoç” informoi se si kompani kanë shfrytëzuar një pjesë nga volitshmëritë për punësimin e personave të rinj që i ofron Qeveria e Republikës së Maqedonisë edhe atë përmes projekteve “Maqedonia punëson 1 dhe 2″, si dhe masa për punësim të personave deri në 29 vjet.

Ai informoi se në këtë mënyrë ata kanë punësuar 38 persona, që, siç theksoi, është një e treta nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në kompani.