e Mërkurë, 18 Tetor 2017 | Lajme: 0

Kadastra: Zvogëlohet shitja e banesave, çmimi i njëjtë, diku edhe rritje e lehtë

Shitja e banesave është zvogëluar, por çmimi nuk ka ndryshuar, madje shënon edhe rritje të vogël, kumtoi sot drejtori i Agjencisë për Kadastër, Sllavçe Tërpeski.

Sipas Tërpeskit, në tre muajt e parë të këtij viti janë shitur 51 banesa të sapondërtuara, që është zvogëlim lidhur me kuartalin e katërt në vitin 2016. Megjithatë, pritet lëvizje në treg dhe ulje e çmimeve më së shumti për shkak të shkallëve të ulëta të interesit të kredive banesore.

Kadastra në tre muajt e parë të këtij viti shënon ulje të numrit të transaksioneve me patundshmëri në përgjithësi, gjegjësisht ulje prej 51,4 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë vitin e kaluar. Janë regjistruar gjithsej 2.590 transaksione që është numri më i vogël për një kuartal prej vendosjes së Regjistrit të çmimeve dhe qirave. Më shumë transaksione janë regjistruar në mars, 1.040, ndërsa më pak në janar, 613, që është numri më i vogël për një muaj nga vendosja e Regjistrit.

Nga numri i përgjithshëm i transaksioneve me patundshmëri, 79 për qind kanë të bëjnë me shitje, 18 për qind të qirave, dy për qind të shitjes prej investitorit dhe një për qind të blerjeve nga Republika e Maqedonisë.

Lidhur me banesat, në kuartalin e parë të vitit 2017 janë regjistruar 3.030 të sapondërtuara të cilat nuk janë shitur, ndërsa në ndërtim janë 8.777 në mbarë territorin e Maqedonisë. “Nëse bëhet krahasim me kuartalin e katërt të vitit 2016, vërehet rritje të banesave të pashitura për 225 dhe rritje e banesave në ndërtim për 325″, tha Tërpeski.

Çmimi për një metër katror në komunën e Qendrës është 45.562 denarë, në Aerodrom 51.739 denarë, në Karposh 61.163 denarë, në Gjorçe Petrov 48.585, ndërsa në Kisella Vodë 54.335.

Jashtë Shkupit, çmimi i banesave është stabil në Strumicë, Kumanovë dhe Ohër, ndërsa shtrenjtim ka në Manastir.