e Shtunë, 29 Prill 2017 | Lajme: 1

“Një shfaqje teatri…” e Prishtinës do të shfaqet në Shkup

Shfaqja e Qendrës Multimedia “Një shfaqje teatri me 4 aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë” do të jepet nesër, në Teatrin e dramës në Shkup, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Faces Without Masks” që fillon nesër dhe do të zgjasë deri më 12 prill.

Kjo shfaqje ka pasur sukses të jashtëzakonshëm, kudo që është shfaqur, në Kosovë, Kroaci e Zvicër. Në Festivalin e Teatrit në Ferizaj ajo ka fituar çmimet për shfaqjen më të mirë, për regjinë më të mirë dhe për aktorët në rolet kryesore.

Pas Shkupit, shfaqja do të jepet edhe në Serbi, Gjermani dhe në vende të tjera.

Shfaqja “një shfaqje teatri me 4 aktorë…” është shkruar nga një cinik kosovar, siç shkruan në komunikatë, transmetojnë mediat kosovare, kurse regjinë e ka bërë Blerta Rrustemi – Neziraj. Në të luajnë aktorët e njohur nga Kosova, Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu dhe Shpetim Selmani. Muzikantë të shfaqjes janë Art Lokaj dhe Drin Tashi.

Mbas daljes tragjikomike të Britanisë së Madhe nga BE, vendi i ngelur bosh duhet të plotësohet shpejt, përndryshe BE do të mund shkatërrohet.

Evropa ka kthyer sytë nga Kosova, e cila papritur gjendet para një mundësie historike të cilën ajo medoemos dëshiron ta shfrytëzojë. Por, siç ngjan zakonisht, ekziston edhe një sfidë e madhe. Pos Kosovës, mundësinë për të hyrë në BE e ka edhe Serbia.

Njerëz dhe kafshë në Kosovë mobilizohen t’i plotësojnë më mirë dhe më shpejtë se sa Serbia standardet që Evropa ka vënë si kusht. Dokumenti bazë i EU-së, që u dorëzohet autoriteteve kosovare, quhet Kosova dhe 3,000 rregullat e lehta të rrugës evropiane.

Thertorja Tony Blair në Prishtinë, nga tash e tutje, duhet të fillojë të shesë mish me cilësi dhe prejardhje të kontrolluar. Në përpjekjen e tyre për të plotësuar këtë kusht, pronarët e thertores bëjnë një udhëtim kafkian nëpër administratën qeveritare, duke pasur të bëjnë me burokratë e zyrtarë halabakë e të korruptuar. Madje, në kopshtin zoologjik të Shkupit, atyre u duhet të vjedhin edhe një gjirafë për Kryeministrin e Kosovës, të cilin ai e ha për ditëlindjen e tij.

Dhe derisa njerëzit e shtetit të ri angazhohen me naivitet në këtë sfidë të re, bota orvelliane e kafshëve mobilizohet dhe dëshiron ta shfrytëzojë këtë momentum politik për të adresuar e artikuluar kërkesat e tyre për therje më të dinjitetshme.

E shkruar nga një Jeton Neziraj, kjo shfaqje teatri është një panoramë tragjikomike e realitetit të tanishëm kosovar dhe atij evropian. Aspirata e sinqertë e kosovarëve për në BE konfrontohet, në njërën anë, me rregullat e kërkesat e koklavitura dhe qesharake evropiane dhe, në anën tjetër, me hilen e burokratëve për t’i bërë gjërat ‘të duken ok vetëm në letër’.

Muzikën e shfaqjes e ka komponuar Gabriele Marangoni, koreografinë Adrienne Hart, skenografinë Petra Veber, kostumet Vesa Kraja, dizajnin e dritave Radomir Stamenkoviq, ass. Regjisore Enkeleda Simitxhiu Arifi, menaxhere skene Lendita Idrizi, ass. e produksionit Sophia Sinani, udhëheqës teknik Denis Berisha, dritat Mursel Bekteshi e Denis Berisha, fjalët Jeton Neziraj.

Shfaqja është financuar nga Olof Palme International Center, Culture for All – faza III, Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, kurse mbështetet nga Zyra në Kosovë e Bashkimit Evropian.