e Mërkurë, 18 Tetor 2017 | Lajme: 0

Kadare merr Çmimin ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”, në Kosovë

Ministria e Kulturës së Kosovës në një ceremoni të organizuar ka ndarë Çmimin Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”, për shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare.

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare erdhi në Prishtinë për të marrë çmimin ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”, i cili iu nda nga Ministria e Kulturës së Kosovës.

Ai me të marrë këtë çmim, tha se kjo është një ceremoni që çdo shkrimtar në botë e dëshiron dhe e çmon, dhe se ky mbetet çmimi më i çmuar për të.

“Është një ceremoni që çdo shkrimtar në botë e dëshiron dhe çmon më shumë se çdo gjë tjetër. Falënderoj Kosovën, ju në radhë të parë lexuesit e mi të Kosovës. Jam vërtet i nderuar dhe këto fjalë janë pak si klishe kudo në botë dhe i lumtur që marrë këtë çmim, por më besoni ky çmim i dhënë në Kosova ka domethënie më tepër se një çmim, ka kuptim me tepër se një çmim për mua dhe rrjedhimisht më jep kënaqësi me tepër se çdo çmim tjetër. Jam i lumtur kur mendoj që po e marr çmimin në Bibliotekën e Kosovës. Bibliotekat janë prijës të asaj mbretërie të madhe në botë, që është mbretëria e lexuesve. Shkrimtarët jetojnë falë bibliotekave, falë lexuesve. Letërsia është arti më i vjetër në botë. Mijëvjeçari i parë i saj s’kishte lexues, kishte vetëm dëgjues. Pra, këtë takim po ta bënim 3 mijë vjet përpara do të thoshim të dashur dëgjues të Kosovës. Për fat të mirë kombi shqiptar, njeriu shqiptar ka sot lexues të mrekullueshëm”, tha Kadare.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku tha se ka ardhur koha që në historinë e Kosovës të ketë vend të privilegjuar për librat dhe Ismail Kadarenë.

“Ka ardhur koha në historinë e Kosovës që të ketë vend të privilegjuar, të respektuar dhe të përzemërt edhe për botimet tuaja dhe për ju. Ka aq shkrimtarë të mëdhenj dhe libra të mëdhenj në këtë bibliotekë, por për lexuesin e Kosovës, Kadareja është shkrimtar i zemrës. Kadare nuk është në masën e autorëve kalimtar, që ecin ose shtyjnë njëri-tjetrin, ai është i përhershëm. Kadare është autori, lidhja me të cilin nuk është shkëputur kurrë dhe nuk është braktisur asnjëherë“, tha ai.

Ndërkaq Ndue Ukaj nga Ministria e Kulturës, tha se Kadare ka lartësuar gjuhën dhe letërsinë shqipe, dhe se çmimi i dhënë është dëshmi e vlerësimit që po i bën kultura e Kosovës, një shkrimtari të madh siç është ai.

“Padyshim, Ismail Kadare është në metropole dhe me një përkushtim të pashoq letrar e kulturor ka bërë punë të jashtëzakonshme për afirmimin dhe njohjen e gjuhës dhe letërsisë shqiptare nëpër metropole të mëdha të botës duke u bërë njëri nga shkrimtarët më të mirë botëror. Ai me fuqinë e artit të tij letrar, ka bërë qe letërsia shqipe të hyjë dinjitetshëm në hartën e letërsisë botërore, aty ku hyn vetëm titanët e mëdhenjtë të tillë si Ismail Kadare. Ky çmim për Ismail Kadarenë nga ministri Kujtim Shala, njëherësh studiues dhe shkrimtar, është shenjë dhe dëshmi e njohjes dhe vlerësimit maksimal, që i bën kultura e Kosovës vlerës universale të letërsisë së tij. Kadare tani më është monument letrar, i pranuar dhe i vlerësuar univerzalisht”, tha Ukaj.

Ndryshe, siç transmeton RTK, në këtë ceremoni, adhuruesit dhe lexuesit e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, patën mundësi të marrin nga një libër me nënshkrimin e tij.