e Martë, 22 Gusht 2017 | Lajme: 0

Hapje e ekspozitës “AP 2016 / Young Art” e artistëve të rinj kosovarë

Në galerinë nacionale të Maqedonisë – objekti Stacioni i vogël, sonte do të jetë mysafire Galeria nacionale e Kosovës me ekspozitën “AP 2016 / Young Art”  – që është projekti më i mirë i realizuar në Kosovë në sferën e artit bashkëkohor konceptual. Veprat e pjesëmarrësve janë zgjedhur në garë për autorë të rinj.

Ata janë: Agron Blakçori (i shpërblyeri i parë), Bujar Sulejmani, Jetullah Sulejmani dhe Luan Bajraktari dhe kolektivi Haveit. Kuratorë të projektit janë Lulzim Zekiri dhe Mehmet Behluli.

Projekti është shpallur si më i miri për arsye se është në mesin e ekspozitave të rralla të specializuara për artistë të rinj deri 40 vjeç; organizuar sipas standardeve dhe trendeve  botërore dhe vlerësuar nga tre komisione të pavarura. Në komisione kanë marrë pjesë artistë të njohur, mes të cilëve edhe Sislej Xhafa, përfaqësues i sivjetshëm i Kosovës në Bienalen e Venecies.

“Vepra interesante, të angazhuara dhe interaktive të të gjithë pesë përfaqësuesve/pjesëmarrës në këtë ekspozitë që vlejnë për t’u parë, të ndiqen interesat e skenës së re kosovare e cila ngadalë por sigurtë po e merr vendin e vet në hartën botërore të artit”, kumtoi galeria nacionale e Maqedonisë për ekspozitën, në hapjen e së cilës do të performojë kolektivi Haveit.