e Martë, 22 Gusht 2017 | Lajme: 0

Seks me dhunë me vajza të mitura, arrestohet trafikanti e tutori shqiptar në kërkim prej 9 vitesh

Në kërkim prej 9 vitesh, por tashmë arratia e tij ka marrë fund që prej pasdites së djeshme.

Ora shënonte rreth 16:00, kur një patrullë policie në sheshin “Duomo” të Piacenza-s (Itali) ka ndaluar për një kontroll normal dy burra, të cilët ishin duke ecur. Asnjë prej të dyve, nuk kishte me vete dokumente identifikimi. Për këtë, ata u shoqëruan në komisariat për t’u pyetur.

Aty, u zbulua se dy burrat ishin të kombësisë shqiptare, 40 dhe 28 vjeç, por identiteti i tyre nuk zbulohet nga mediat lokale.

Më i madhi në moshë, në të kaluarën kishte qenë në burg për vepra të që lidhen me prostitucionin e të miturve, trafikim dhe shitje të të miturve për prostitucion, dhe dhunë seksuale.

Gjithashtu, është denoncuar për shfrytëzim prostitucioni, shpërndarje droge dhe në vitin 2005, mbajtje të paligjshme të armëve. Krime këto të kryera në kohë të ndryshme dhe në provinca të ndryshme të Italisë. Në vitin 2008, ndaj tij, Gjykata e Apelit të Torinos dha një vendim burgimi me 10 muaj e 20 ditë për shqiptarin.

Por, nga dita e lëshimit të vendimit të gjykatës, ai ka humbur gjurmët dhe arriti që për nëntë vite të fshihej pas një emri të rremë.

Arratia e tij tashmë ka marrë fund dhe 40-vjeçari është shoqëruar në burgun e Novara-s.