e Premte, 28 Korrik 2017 | Lajme: 1

Agon Myftari me premierë në Shkup me komedinë “Shfaqja që shkon mbrapsht”

“Shfaqja që shkon mbrapsht”, sipas tekstit të Henry Shields, Jonathan Sayer, Henry Lewis e që është shqipëruar nga Artur Lena, dërgon si regjisor në Teatrin Shqiptar të Shkupit për të katërtën herë me radhë regjisorin kosovar Agon Myftarin.

Kjo komedi e cila vjen me premierë nesër, sipas regjisorit Agon Myftari, i është dashur pikërisht në këtë moment publikut të Shkupit.

Myftari, për KultPlus, tregoj për përvojën e tij në këtë teatër si dhe tha që beson që kjo shfaqje do të ketë një jetë të gjatë dhe shikueshmëri të madhe.

“Kjo është hera e katërt që punoj në Shkup si regjisor dhe mund të them që çdoherë e kam ndjerë vetën më mirë se në shtëpinë time. Njerëzit e Teatrit Shqiptar janë jashtëzakonisht mikpritës, njerëz që e duan punën e tyre dhe të krijojnë kushte dhe atmosferë, të krijojnë një terren të përshtatshëm për të bërë shfaqje të mirë”, tha fillimisht regjisori, i cili vazhdoi më tej të thotë se qysh në fillim kanë pasur një ide të qartë, atë që ta bëjnë publikun të qeshë dhe përgjatë një ore sa zgjat shfaqja ta bëjnë publikun që t’i harrojë të gjitha brengat dhe hallet e përditshme.

“Nuk kam pikë dyshimi që këtë do ta arrijmë, e them këtë duke u bazuar në reagimet e publikut në provat gjenerale”, tha Myftari.

“Shfaqja që shkon mbrapsht”, në kastin e aktorëve ka: Adem Karaga, Dritëro Ame, Vjollca Bekteshi Hamiti, Ibrahim Xhemaili, Besfort Idrizi, Fisnik Zeqiri, Aida Elezi dhe Asdren Selimi. Skenografia-Krste Xhidrov-Xhibi, kostumet-Ines Golja, print design-Taib Aziri, video-Betim Zeqiri dhe fotografitë-Benny.

Shfaqja është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë.

Premiera e shfaqjes “Shfaqja që shkon mbrapsht”, do të jepet më 15 mars me fillim nga ora 20:00 ndërsa më 16 mars në të njëjtën orë është repriza e parë.