e Martë, 19 Shtator 2017 | Lajme: 0

Ministri Kuçi dhe ministri Zeqiri realizuan vizitë pune në Dibër

Ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi i shoqëruar nga Ministri për Investime të huaja, Arlind Zeqiri sot qëndruan në një vizitë pune në Komunën e Dibrës, me ç’rast realizuan takim me kryetarin e Dibrës Ruzhdi Lata, me të cilin biseduan për një sërë projektesh që po realizohen në këtë komunë, për përkrahjen e kompanive të vogla dhe të mesme nga Ministria e Ekonomisë si dhe për hyrjen e kompanive të huaja të cilat vendosën të investojnë në këtë komunë.

Gjatë vizitës dy ministrat, siç njoftojnë nga Zyra për informim e Ministrisë së Ekonomisë, Kuçi dhe Zeqiri me  Latën, vizituan disa projekte infrastrukturore në komunë, siç është projekti në përfundim e sipër, rrugën lokale që lidh qytetin e Dibrës me fshatrat Krifcë-Ame-Banjisht, rrugë kjo në vlerë prej 260.000 euro.

Dy ministrat, shtohet më tej, diskutuan me kryetarin Lata rreth kompanive që operojnë në këtë komunë, rritjen e numrit të turistëve dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qëndror.

Ministrat Kuçi dhe Zeqiri i ofruan mbështetje të plotë kryetarit Lata, duke i premtuar se mbështetja për Dibrën nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.