e Hënë, 20 Shkurt 2017 | Lajme: 0

BDI-ja i dorëzon LSDM-së mendimet për ligjin e shqipes

Bashkimi Demokratik për Integrim ia ka kthyer LSDM-së së Zoran Zaevit draft/ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, bashkëngjitur me mendimet/vërejtjet e saj rreth disa çështjeve thelbësore që kanë të bëjnë me statusin, zbatimin si dhe harmonizimin e tij me Kushtetutën.

ALSAT mëson se draft/ligji, i cili është punuar edhe me ndihmë të disa ekspertëve të të drejtës kushtetuese, si dhe LR.PDSH-së, është dërguar në orët e vona të pasdites së djeshme, pas një shqyrtimi mes kreut të BDI-së Ahmeti si dhe nënkryetarëve të partisë, njëkohësisht anëtarë të grupit të punës nga ana e BDI-së në bisedimet me LSDM-në.

Modalitetet kërkoheshin prej 2-3 ditësh tashmë, pasi ligji për shqipen si dhe përmbushja e pikave të tjera nga platforma e përbashkët e partive shqiptare, ishin kushtet themelore të BDI-së për koalicionin e mundshëm.

-Në diskutim e sipër ka qenë formati i ri i ligjit për përdorimin e shqipes, i cili duhet të jetë jo vetëm në përputhje me kushtetutën, amendamentin V të saj, por njëkohësisht të saktësojë që përkufizimi “gjuha që përdoret nga 20% e popullatës” të ketë një lidhje konkretizuese me termin tjetër “gjuha shqipe”. Një pikë tjetër e rëndësishme ishte edhe ajo që e folura e shqipes në institucione, të respektohet edhe në të shkruar. Në Kuvend, pavarësisht se shqiptarët kishin përkthime për ligjet e caktuara, ato asnjëherë nuk kanë qenë protokolluar me vulë e firma sikurse versioni në maqedonisht.

Ndërkohë që në qeveri shqipja as flitej dhe as shkruhej. ALSAT mësonë se kur çështja e ligjit të shqipes të jetë pranuar nga të dyja palët, ajo shqiptare dhe ajo maqedonase, atëherë partia e Ahmetit pritet të thërrasë edhe kryesinë e saj për të marrë vendimin rreth nënshkrimeve. Pas kësaj faze, siç mëson ALSAT, bisedimet me LSDM-në do të vazhdojnë sa i takon resorëve dhe emrave të rinj që do të zënë postet qeveritare.

Më herët, gjatë ditës së sotme, kreu i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi se partia e tij nuk do të shpejtojë në marrjen e vendimit, ndërkohë që pranoi se mbrëmë ka këmbyer mendime edhe me kreun e LR-PDSH-së, Ziadin Selën.

Në rast se BDI vendosë t’i jap  nënshkrimet LSDM-së, partia e Zaevit bëhet zyrtarisht mandatar, dhe dy partitë ligjërojnë edhe afatet kushtetuese për 20 ditë të tjera për bisedimet mes tyre.