e Dielë, 23 Prill 2017 | Lajme: 1

Lidershipi shqiptar uron Kosovën për pavarësinë e saj

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i ka dërguar sot një mesazh urimi Presidentit  të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi .

“Me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të përzemërta e vëllazërore, për Ju dhe të gjithë shtetasit e Kosovës”, citohet mesazhi i Nishanit .

“Përfitoj nga rasti të përshëndes gjithashtu, të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit. Jam i bindur se falë këtij progresi, por edhe mbështetjes domethënëse të partnerëve, Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe do të avancojë krahas vendeve të tjera të rajonit, në agjendën e saj evropiane”, thuhet ne mesazh.

“Marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, janë shumë të veçanta dhe të një rëndësie thelbësore, si për të ardhmen e kombit shqiptar ashtu edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit. Ndaj dhe ju siguroj se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror”, shprehet Nishani.

Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama ndërsa ndodhet në Kosovë për të qenë pjesë e ceremonive zyrtare në ditën e 9 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka uruar festën e pavarësisë.

Rama një postim në faqen e tij ne Facebook, mëngjesin e sotëm ka uruar : “GËZUAR FESTËN E PAVARËSISË 🇽🇰🇦🇱.”

Shefi i qeverise në postimin e tij, sjell një set fotosh shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Linda Rama në prani të personaliteteve politike të Kosovës, si presidenti Hashim Thaç dhe kryeministri Isa Mustafa.

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati i është bashkangjitur urimeve sot për 9 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Në një postim në Facebook Bushati shprehet : “Përgëzime Kosovës në këtë përvjetor të nëntë të Pavarësisë! Nëntë vite të mbushura me punë e përpjekje, me arritje në procesin sfidues të shtet-ndërtimit demokratik dhe fitimit të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar”. “Procesi i integrimit europian dhe euro-atlantik i pakthyeshëm.#GëzuarDitëlindjenKosovë”, shkruan Bushati.

Edhe lideri i partisë më të madhe shqiptare opozitare PD-së, Lulzim Basha ka dërguar urim për pavarësinë e Kosovës.

“Sot në vitin e nëntë të pavarësisë së Kosovës, të dytën ditë më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, dua të uroj nga zemra vëllezërit dhe motrat e Kosovë”, tha Basha.

Në një postim në Facebook, Basha në vijim, shkruan : “Nëntë vite të pavarësisë së Kosovës nuk kanë qenë vite të lehta. Vështirësi të shumta kanë sfiduar udhën e saj drejt projektit të shtet-formimit. Por pjekuria e durimi,forca e mençuria,besimi i pashterë të liria, respekti fisnik ndaj tipareve më të vyera kombëtare me të cilat ju të dashur vëllezer dhe motra keni përballuar këto sfida do të shkruhen në faqen e krenarisë sonë kombëtare”.

Më tej, Basha shprehet se “Të dashur vëllezër e motra të Kosovës. Çdo sukses i juaji është sukses i ynë, çdo hap i juaji përpara na rrit dhe ne, çdo dhimbje lëndon njësoj. Rruga që kemi përpara është ende e mbushur me sfida. Realizimi i aspiratës tonë kërkon ende sprova e pas çdo sprove rritet qartësia dhe vizioni se jemi në rrugën dhe anën e drejtë të historisë”.

“Në këtë ditë të përvjetorit të nënte të pavarësisë më lejoni që bashkë me urimet e gëzimin të ndaj me ju një premtim, se çdo orë, çdo ditë e jetës dhe e punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh, busulla orientuese me e qartë, energjia që do të ushqejë çdo hap tonin përpara. Ne do te jemi bashkë ne ketë rrugëtim, se bashku do t’ia dalim. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë!”, shkruan Basha.