e Hënë, 20 Shkurt 2017 | Lajme: 0

Rektori Vullnet Ameti: Shtatëmbëdhjetë shkurti, datë e ndritshme e arsimit sipëror në gjuhën shqipe

Urim nga rektori i Universitetit të Tetovës prof.dr. Vullnet Ameti me rastin e 22 vjetorit të ligjëratave të para të këtij universiteti.

“Kjo datë shënon ditën më të ndritshme të arsimit sipëror në gjuhën shqipe dhe ditën e veçantë për shqiptarët e Maqedonisë, sepse vendimi historik për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe ishte një hap historik dhe vizionar, për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes së arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, ndërsa fillimi i ligjëratave të para shënon datën e fitores së madhe të arsimit mbi padrejtësitë shekullore, shovinizmin dhe barbarinë mbi arsimin në gjuhën tonë amtare. Më 17 shkurt të vitit 1995, në fshatin Poroj u mbajtën ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës, i cili atë kohë ishte i kontestuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Po të njëjtën ditë, në fshatin Reçicë e Vogël, nisja e ligjëratave u shoqërua edhe me konfrontim mes qytetarëve dhe policisë, i cili përfundoi me shumë të lënduar, të burgosur dhe me rënien e dëshmorit të arsimit në gjuhën shqipe Abdylselam Emini”, thuhet në urimin e rektorit Ameti.

Sot, shton ai, më 17 shkurt 2017, ne drejtuesit e Universitetit, mësimdhënësit dhe studentët, i përkujtomë këto ngjarje, i përkujtojmë ligjëratat e para të mbajtura nga profesorët e Universitetit të parë shqiptar në Maqedoni.

“Ende janë të freskëta kujtimet që na e sjellin pamjen e asaj kohe, kur Universiteti i Tetovës ishte më shumë se një institucion arsimor, ishte një tempull i shenjtë i diturisë që po lindte në horizontin e dritës dhe diturisë për një të ardhme më të ndritur të brezave të rinj. Përmes këtij urimi, i uroj nga zemra drejtuesit, profesorët dhe studentët e gjeneratës së parë të Universitetit, qytetarët e Tetovës, të cilët i shndërruan shtëpitë e tyre në mësonjëtore të para të këtij tempulli, Bashkësinë Islame në vendin tonë, si dhe të gjithë ata që e përkrahën financiarisht këtë institucion, në të gjitha format dhe me të gjitha mundësitë. I falënderoj profesorët që erdhën nga të gjitha anët e vendit tonë, sidomos profesorët nga Tirana dhe Prishtina, të cilët vite me radhë mbajtën ligjërata dhe ushtrime me studentët e këtij Universiteti, nën kërcënimin e policisë dhe në të shumtën e rasteve pa pagesë dhe në kushte tejet të vështira”, thuhet në urimin e rektorit të Universitetit Ameti.

Në fund, rektori Ameti të gjithë profesorëve dhe studentëve u uroi suksese në punën arsimore-shkencore, hulumtuese dhe aplikative, me dëshirat më të mira në përmbushjen e misionit të përbashkët, për ardhmëri më të lumtur të brezave të rinj, për përparimin e vendit dhe progresin e përgjithshëm.